Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu ka thënë se kundërshtimi i Marko Gjuricit për miratimin e Ligjit për “Trepçën” më së shumti dëmton pakicën serbe, e cila do të jetë përfituese e këtij procesi.
“Kundërshtimi i tij (Marko Gjuric ), jo vetëm që është i panevojshëm por ai do të ishte i dëmshëm në rend të parë për komunitetin serb i cili përfiton nga ky ligj për të tashmen dhe të ardhmen e tij”, ka thënë Abdullahu.
Kjo deklaratë e zyrtarëve të Qeverisë vjen pas paralajmërimit të Marko Gjuricit, i cili mban pozitën e Shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, se çështjen e “Trepçës” do ta çojnë për diskutim në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Avdullahu ka thënë se gjithçka që u miratua në Parlamentin e Kosovës është në pajtueshmëri me vlerat e Shtetit të Kosovës dhe parimet evropiane.
“Ky ligj është në përputhje të plotë me ligjet por edhe parimet mbi të cilat është ndërtuar vendi yne dhe mbi parimet të cilat janë shtylla të raporteve tona me vlerat integruese evropiane”, ka shtuar ai.
Sipas tij qeveria konsideron se ky ligj për Trepçën duhet të vlerësohet me logjikën e prosperiteti social dhe zhvillimit ekonomik si dhe forcimit te koezistences etnike dhe shteterore te Kosoves e jo të ngurtësisë averzive ndaj institucioneve të Kosovës.
Gjuric ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme, ku ka paralajmëruar se do të ketë debat edhe në OKB për “Trepçën”. Zyrtarë tjerë të Serbisë kanë thënë se Kosova po ia merr pronat Serbisë dhe kanë kërkuar reagimin e shtetit serb.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet një statusi në FB, ka thënë se me miratimin e Ligjit rruga e Trepçës është e sigurt.


















