Banorët e fshatit Mirosalë të Komunës së Ferizajt janë kërcënuar me shpërngulje, nëse autoritetet komunale nuk e ndalojnë ndotjen e ambientit nga një kompani që riciklon gomat, shkruan sot Koha Ditore.
Ata kanë bërë të ditur se prej më shumë se 3 vjetësh me shkresa zyrtare, me protesta dhe me peticione kanë kërkuar nga komuna dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ta largojnë këtë fabrikë nga vendbanimi, por deri tashti ankesat dhe kërkesat e banorëve nuk janë shqyrtuar.
Banorët pohojnë se kjo fabrikë drejtohet nga F.Ramadani, kurse në Komunë e as në Ministrinë e Mjedisit nuk e bëjnë të ditur emrin e pronarit dhe të kompanisë.
Ilaz Shala, banor nga fshati Mirosalë, ka thënë se tashmë disa banorë janë shpërngulur nga ky fshat si pasojë e kundërmimit nga fabrika e riciklimit të gomave. Sipas tij, deri në javën e ardhshme 15 familje afër kësaj fabrike do t’i lënë shtëpitë e tyre.


















