Sonte në emisionin “Komiteti Qendror”, drejtuar nga Berat Buzhala, Leonard Kerquki dhe Shpend Limoni, prodhim i Gazetës Express, që transmetohet në RTV Dukagjini, në vazhdimësi të intervistës biografike, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka folur për negociatat me gjeneralët e NATO’s për shpërbërjen dhe demilitarizimin e UÇK’së në organizatë të re, pa rol ushtarak, pasi që tanimë atë rol do ta kishte NATO.
Çeku ka treguar se si ishte ftuar nga gjeneralët e NATO’s dhe ishte mbajtur me orë të tëra i mbyllur për t’iu bindur kërkesave të NATO’s për shthurjen e UÇK’së, dhe t’i dorëzonin të gjitha armët, por që ai i kishte mbajtur qëndrimet e tij dhe të UÇK’së.
“Grupet e armatosura të shqiptarëve të Kosovës duhej që ushtarëve të parë që i takojnë ose njësiteve ushtarake t’ia dorëzojnë armatimin, municionin dhe uniformën, sepse në Kosovë, pas luftës, duhet të jetë vetëm një forcë ushtarake dhe ajo është NATO – kjo ishte kërkesa e forcave të NATO’s”, ka thënë Çeku në “Komiteti Qendror”. /Express/

















