Lajmet

Haxhiu: Në Dubravë, shteti serb e ndërtoi krimin mbi një kurth të dyfishtë

22.05.2026 16:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Haxhiu: Në Dubravë, shteti serb e ndërtoi krimin mbi një kurth të dyfishtë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në shënimin e 27 vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se burgu është vend ku shteti e mbyll derën nga jashtë.

“Ai që gjendet brenda tij nuk ka as armë, as liri e as mundësi të mbrohet. Jeta e të burgosurit është në duart e institucionit që e ruan. Për këtë arsye, masakra e Dubravës, nuk mund të trajtohet si krim i zakonshëm lufte. Sepse masakra e Dubravës ndodhi brenda një institucioni shtetëror, nën administrimin e shtetit serb, mbi njerëz të paarmatosur, të mbyllur dhe të pambrojtur”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se pesha e krimit bëhet edhe më e rëndë kur dihet se të burgosurit shqiptarë nuk ishin aty rastësisht.

“Në pranverën e vitit 1999, në Dubravë u sollën njerëz nga burgje e qendra ndalimi, nga Kosova por edhe nga Serbia. Të dënuar politikë, të dënuar për vepra të ndryshme, të arrestuar në rrethanat e luftës u grumbulluan aty. Të gjithë u gjendën brenda atij burgu që ishte kthyer në instrument të krimit shtetëror”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, në Dubravë, shteti serb e ndërtoi krimin mbi një kurth të dyfishtë.

“Së pari, i mbajti të burgosurit shqiptarë brenda një objekti që e kishte futur në logjikën e luftës. Pastaj, kur rreziku i bombardimit u bë i afërt, ata që mbanin çelësat u larguan për t’u fshehur, ndërsa shqiptarët e burgosur aty mbetën të mbyllur. Mbi atë braktisje të qëllimshme u ngrit edhe mashtrimi: që vrasjet t’i visheshin sulmeve të NATO-s.  Më 19 maj u goditën objektet e burgut, përfshirë pavijonet, ndërsa më 21 maj pati sërish goditje gjatë ditës në objektet e burgut dhe rrethinë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tutje tha se disa prej të burgosurve shqiptarë, që ndodheshin jashtë pavijoneve për punët e zakonshme të burgut, morën veglat që kishin pranë dhe nisën t’i thyenin dyert e drynat për t’i nxjerrë shokët jashtë qelive.

“Në mes të atij tmerri, të burgosurit gjetën mënyrë për t’i dërguar mesazh botës. Me copa plastike të bardha, në oborrin e burgut, shkruan fjalën “HELP”. Ishte një thirrje e thjeshtë, e shkurtër, por e kuptueshme për botën. Përmes kësaj thirrje të burgosurit treguan se janë gjallë. Dhe kjo pati sukses, ngase sulmet ajrore u ndalën. Por edhe ajo fjalë, “HELP”, u bë arsye për tërbimin e vrasësve. Sepse ajo e prishte skenarin e tyre. Ajo tregonte se brenda burgut kishte njerëz të gjallë, të burgosur dhe dëshmitarë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se pas kësaj, më 22 maj, të burgosurit u urdhëruan të rreshtoheshin, nën pretekstin se do të transferoheshin.

“Në vend të transferimit, mbi ta u hap zjarr. Të rreshtuar, të pa armatosur, të pambrojtur, ata u qëlluan brenda oborrit të burgut. Dëshmitë e të mbijetuarve flasin për sulme të tjera gjatë asaj dite dhe ditës pasuese, për njerëz që kërkonin shpëtim në ndërtesat e dëmtuara, për të plagosur që nuk kishin ndihmë, për të burgosur që u përpoqën ta shpëtonin njëri-tjetrin. Në mekanizmin e krimit u përfshinë edhe të burgosurit serbë, të dënuar për krime të rënda, të cilët u armatosën dhe u vunë në shërbim të aparatit shtetëror serb. Më 23 maj, dhuna vazhdoi. Sulmet ndaj të burgosurve që kishin mbetur brenda kompleksit e shtuan edhe më shumë bilancin e vdekjes”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo, tutje tha se 116 të burgosur shqiptarë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në Burgun e Dubravës, në një hapësirë ku shteti serb kishte përgjegjësi të plotë mbi ta.

“Në prag të këtyre ditëve, më 16 maj 1999, nga Burgu i Dubravës u nxor edhe profesor Ukshin Hoti. Prej asaj dite ai mbetet i zhdukur. Një mendje politike e rrallë e Kosovës, një njeri që e kishte menduar lirinë si rend historik, u zhduk pikërisht aty”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se në Dubravë, shteti serb veproi si aparat vrasës.

“I kishte të burgosurit në regjistra, në pavijone, në rreshta, nën urdhra dhe të mbyllur. Kjo është arsyeja pse Dubrava ka peshë të veçantë juridike dhe morale. Aty krimi nuk ndodhi sepse shteti mungoi. Aty krimi ndodhi sepse shteti ishte i pranishëm në çdo hallkë: në komandë, në rojë, në armë, në mashtrim dhe në përpjekjen për ta fshehur të vërtetën”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas U.D. Presidentes Haxhiu sot nuk mjafton ta përmendim Dubravën si datë.

“Duhet ta kuptojmë si dëshmi për krimet monstruoze të Serbisë, kundër qytetarëve të pambrojtur shqiptar. Gjithashtu duhet ta kuptojmë edhe si dëshmi të detyrës sonë që emrat e të vrarëve, dëshmitë e të mbijetuarve dhe e vërteta e plotë e Dubravës të bëhet pjesë e ndërgjegjes shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka thënë në fund të fjalës së saj U.D. Presidentja Haxhiu.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Haxhiu: Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për marrëveshje

Haxhiu: Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për marrëveshje

Kurteshi: S’mund të arsyetohet mbajtja peng e Kosovës, liderët kanë shumë inat e lakmi

Kurteshi: S’mund të arsyetohet mbajtja peng e Kosovës, liderët kanë shumë inat e lakmi

Gjini: Kosova është e infiltruar nga shërbimet sekrete armike, sa spiunë të tjerë mund të jenë në majat e pushtetit?

Gjini: Kosova është e infiltruar nga shërbimet sekrete armike, sa spiunë të tjerë mund të jenë në majat e pushtetit?

LDK-ja refuzon takimin me Haxhiun, Abdixhiku: Për ne ajo është deputete, takohemi vetëm me Kurtin

LDK-ja refuzon takimin me Haxhiun, Abdixhiku: Për ne ajo është deputete, takohemi vetëm me Kurtin

Kurti: Synimi ynë është ta transformojmë ekonominë e Kosovës dhe ta forcojmë prodhimin vendor

Kurti: Synimi ynë është ta transformojmë ekonominë e Kosovës dhe ta forcojmë prodhimin vendor

Pritjet nga Haga: Thaçi e të tjerët duhet të lirohen

Pritjet nga Haga: Thaçi e të tjerët duhet të lirohen

Tahiri: Kosova nuk mund të mbahet peng nga kalkulimet e Albin Kurtit

Tahiri: Kosova nuk mund të mbahet peng nga kalkulimet e Albin Kurtit

PDK e AAK refuzuan takimin, Haxhiu: Veprim i gabuar dhe i pamatur – nyja është çështja e Presidentit

PDK e AAK refuzuan takimin, Haxhiu: Veprim i gabuar dhe i pamatur – nyja është çështja e Presidentit

“Manipulim i radhës nga Kurti”: PDK e AAK refuzojnë takimin me Haxhiun, LDK ende s’jep përgjigje

“Manipulim i radhës nga Kurti”: PDK e AAK refuzojnë takimin me Haxhiun, LDK ende s’jep përgjigje

Gjenden mbetje eshtërore edhe të tre individëve gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut

Gjenden mbetje eshtërore edhe të tre individëve gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut

Ftesa e Haxhiut për liderët partiakë për takim konsultativ për Presidentin, kjo është letra që ia dërgoi Bedri Hamzës

Ftesa e Haxhiut për liderët partiakë për takim konsultativ për Presidentin, kjo është letra që ia dërgoi Bedri Hamzës

Shala: Qëndrimi i LDK-së ka krijuar një realitet krejt të ri politik në Kosovë

Shala: Qëndrimi i LDK-së ka krijuar një realitet krejt të ri politik në Kosovë

Lavrovi-Serbisë: Pa e njohur Kosovën shtet, harrojeni BE-në

Lavrovi-Serbisë: Pa e njohur Kosovën shtet, harrojeni BE-në

Sveçla: Rreth 5 mijë aplikime për shtetësi brenda gjashtë muajve

Sveçla: Rreth 5 mijë aplikime për shtetësi brenda gjashtë muajve

“Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK ju largohet nga bashkëpunimi”, Haziri i përgjigjet Kurtit

“Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK ju largohet nga bashkëpunimi”, Haziri i përgjigjet Kurtit

Haradinaj paralajmëron protesta e bllokada: Do të jenë përgjigjja ndaj Kurtit

Haradinaj paralajmëron protesta e bllokada: Do të jenë përgjigjja ndaj Kurtit