Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka folur për rastin e bllokimit të minatorëve në Trepçë, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike.
Ai bëri të ditur se ekipet emergjente dhe ato teknike kanë reaguar menjëherë për të mundësuar nxjerrjen e minatorëve dhe rikthimin e furnizimit me energji.
“Sipas saj, për shkak të një defekti në linjën 35 kilovolt Stantërg, është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg. Ekipi i Trepçës, i përkrahur nga ekipi i KOSTT-it, është angazhuar menjëherë maksimalisht për ta rikthyer furnizimin. Në kohën kur është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, në minierë kanë qenë 47 minatorë, prej të cilëve, përmes shkallëve emergjente, nga ora 03:00 e mëngjesit deri në ora 08:00, kanë dalë 29 prej tyre. Ndërkaq, pjesa tjetër, përveç atyre që kanë qenë në kujdestari, kanë dalë në ora 14:00, pasi ekipet teknike kanë bërë lidhje alternative emergjente për ta rikyçur linjën 35 kilovolt nga nënstacioni Trepça në Stantërg. Të gjithë punëtorët minatorë janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që shkaqet e avarisë në nënstacion janë duke u hetuar nga organet kompetente”, tha Kurti.




























