Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka konfirmuar rikandidimin e tij për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke theksuar se AAK mbetet “partia e vërtetë opozitare”, e cila sipas tij ka adresuar kritikat më parimore ndaj pushtetit dhe ka ruajtur konsistencën politike që nga fillimi, nën udhëheqjen e kryetarit Ramush Haradinaj.
Isufi vlerësoi lart edhe punën e Grupit Parlamentar të Aleancës, duke veçuar deputetët më aktivë dhe në veçanti Shefin e Grupit Parlamentar, Besnik Tahirin.
Ai theksoi se një nga zhvillimet më të rëndësishme brenda partisë është reforma e brendshme dhe tranzicioni demokratik, duke përmendur tërheqjen vullnetare të Ramush Haradinajt nga kandidimi për kryetar dhe propozimin e Ardian Gjinit si bartës i listës dhe kandidat për kryeministër.
“Kjo dëshmon kulturën politike të transformimit dhe tranzicionit normal në demokracinë brenda partiake”, u shpreh Isufi.
Sipas tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të mbështetet mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetndërtimit, duke krijuar hapësirë për kuadro me përvojë, por edhe për të rinj me vizion dhe perspektivë.
“Aleanca hyn në këtë garë me program profesional e praktik dhe me një listë kandidatësh me vlera nga të gjitha profilet, e bindur në fitore”, deklaroi ai.
Në fund, Isufi uroi të gjithë kandidatët për deputetë, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Na priftë e mbara!”.




























