Deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Ndocaj është sulmuar fizikisht në një pikë karburanti në Prizren, nga dy të rinj të cilët janë ndaluar nga policia vendase. Lajmin e ka konfirmuar për Top Channel, zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Hazir Berisha.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërsa deputeti kishte ndaluar për të furnizuar automjetin e tij me karburant. Sipas raportit të Policisë së Prizrenit, dy të rinjtë e kanë sulmuar atë dhe shoferin e tij, për shkaqe që ende nuk dihen.
Të dielën u ndalua një prej autorëve, ndërsa një ditë më vonë edhe autori tjetër. Njëri është shtetas i Kosovës, ndërsa tjetri, shtetas i Shqipërisë. Që të dy ndodhen në stacionin e Policisë së Prizrenit dhe priten të dalin për masën e sigurisë në gjykatën vendase.
Në disa media kosovare thuhet se, deputeti ka qenë i shoqëruar edhe me një këngëtare të njohur shqiptare, por në raportin e policisë emri i saj nuk përmendet.
I kontaktuar nga Top Channel, deputeti Ndocaj e ka përgënjeshtruar këtë lajm.
“Përgënjeshtroj një lajm që po qarkullon në media, sikur unë jam dhunuar rëndë fizikisht në Kosovë. Jam si kokrra e mollës e nuk kam asnjë lloj shenje dhune. Këtë e konsideroj si sulm të radhës me prapavijë politike”, tha Eduard Ndocaj, deputet i PS-së.
Ndocaj ndodhej në Kosovë, pasi ka marrë gjatë një ceremonie në Pejë titullin “Politikani i vitit”. Por nga Kosova u largua me më shumë se kaq.
/ Top Channel