Vartësia nga BBC e Real Madridit nuk është e njëjtë me atë të Barcelonës karshi MSN. Dhe kjo, për meritë të trajnerit Zinedine Zidane. Duke bërë rotacionet e nevojshme, në mungesë të Cristiano Ronaldon dhe Benzema, grupi i të bardhëve ka arritur të shkundet, të venisë sadopak ndikimin e “tridentit” golashënues. Treshja e lojtarëve të bardhë ka realizuar vetëm 4 nga 12 golat (33.3%) e Real Madridit në La Liga, këtë sezon. Kjo shifër është e papërfillshme, po ta krahasosh me 78 gola nga 110 të tillë (70.1%), që shënuan sezonin e kaluar. Një sezon më parë, 16 nga 38 ndeshjet e kampionatit janë zgjidhur për Real Madridin nga golat ekskluzivë të një apo më shumë anëtarëve të BBC, një situatë që nuk evidentohet në katër ndeshjet e luajtura deri tani në La Liga, nga “Los Blancos”. Zidane, për këtë arsye, mund të përgëzohet për angazhimin e “njësisë së dytë”, që ka qenë e suksesshme. Ata kanë shënuar gola dhe kanë marrë fitore në mungesë të BBC. Asensio ka shoqëruar dopietën e Bale në premierën e këtij kampionati, në “Anoeta” (0-3, kundër Real Sociedad), Morata dhe Kroos kanë vendosur fatin e ndeshjes kundër Celta Vigo (2-1). BBC, edhe pse me Benzema ende në stol, u përfaqësua me golin e Cristiano Ronaldos, të cilit iu deshën gjashtë minuta lojë kundër Osasuna (5-2), për të shënuar, veç golave të Danilo, Sergio Ramos, Pepe dhe Modric. Gjatë transfertës në Espanyol (0-2), James Rodrigues shënoi për 0-1, para se sulmuesi francez, Benzema të hipotekonte fitoren e radhës. Përtej La Liga, në Superkupën e Europës, me vetëm Benzema në stol, Real Madridi iu fal golave të Asensio, Carvajal dhe Ramos për triumfin ndaj Sevilla. Në Champions, Morata vulosi fitoren 2-1, pasi Ronaldo kishte barazuar përkohësisht, duke përmbyllur sfidën pikëlluese kundër Sporting Lisbona. Nga ana tjetër, Barcelona ka një kohë të vështirë pa golat e MSN. Pra, katalanasit e kanë “patent” vartësinë nga treshja Messi-Neymar-Suarez. Kur ata nuk duken, klubi vuan, apo edhe humbet. Kontributi golashënues i MSN është i lartë (9 nga 13 golat e këtij kampionati, ose 69.2%, krahasuar me 90 nga 112 golat e kampionatit të kaluar, ose 80,4%), teksa i ka shërbyer Barcelonës në pjesën më të madhe të garës për t’i zgjidhur e fituar ndeshjet. Katër nga pesë golat e fitores së fundit (1-5) në fushën e Leganés janë produkt i MSN. Megjithatë, në dy ndeshje, që janë zgjidhur me rezultat të ngushtë, kontributi i këtij “tridenti” ishte i pamjaftueshëm. Rakitic ishte shënuesi në fitoren (0-1) kundër Athletic Bilbao, në “San Mames”. Për të ardhur te humbja me Alavés, në “Camp Nou”, në të cilën Luis Enrique vendosi për të lënë pushim Messi dhe Suarez, me Neymar të rikthyer. Ky rotacion i kushtoi shtrenjtë Barcelonës. Braziliani nuk ishte në gjendje për të shënuar gjatë kohës që ai ka luajtur “solo”, ndërkohë që goli i Mathieu nuk evitoi dit disfatën e të tijve, edhe pse pati 25 minuta lojë të përbashkët të MSN. Në Superkupën e Spanjës ka shënuar Munir, në ndeshjen e parë, dhe Arda Turan (Suarez dhe Messi shënuan dy gola të tjerë). Champions ka konfirmuar tendencën e vërejtur në kompeticionin e brendshëm, vartësinë e Barcelonës nga MSN. Iniesta ndërfutet në këtë “trident”, me golin e tij ndaj Celtic, ku Messi realizoi “hat-trick”, Suarez dopietë dhe Neymar një gol (7-0).