Mësimdhënësit e matematikës në Gjimnazin e specializuar s’punojnë më pa paga

E publikuar: 17/09/2016 08:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Që nga fillimi i këtij viti të ri shkollor, nxënësit e Gjimnazit të Specializuar Matematikor në Prishtinë nuk e kanë mbajtur asnjë orë të matematikës.

Mësimdhënësit e kësaj lënde kanë vendosur të bojkotojnë punën e tyre deri sa t’i marrin pagat, që sipas tyre ua ka borxh Ministria e Arsimit. Njëri nga profesorët thotë se pos kësaj, ka shumë pakënaqësi të tjera që i ka shtyrë ata të marrin këtë vendim.

Shqetësim për mungesën e orëve të matematikës kanë ngritur prindërit dhe nxënësit e këtij gjimnazi.

Drejtori i shkollës, Shemsi Berisha, ka treguar se MASHT-i ua ka borxh dhjetë profesorëve pagat e gjysmëvjetorit të shkuar. Por, Ministria e Arsimit nuk ka dhënë detaje se pse deri tani nuk i ka paguar këta mësimdhënës.

Faton Fetahu, nga Kabineti i Ministrit, ka thënë se këtë javë pritet të gjendet një zgjidhje përfundimtare e përbashkët dhe të sigurohet buxheti i nevojshëm për pagesën e këtyre mësimdhënësve.

Ky gjimnaz është themeluar nga Ministria e Arsimit, para dy vjetësh, me qëllimin të grumbullojë nxënësit me prirje në matematikë.