Sadiku spektakolar, Interi turpërohet nga Be’er Sheva

E publikuar: 16/09/2016 00:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Spektakolar Armando Sadiku. Sulmuesi i kombëtares shqiptare konfirmoi momentin pozitiv që po kalon duke e nisur me një supergol aventurën e tij me fanellën e Zyrihut në fazën e grupeve të Europa League. Sadiku me një goditje të bukur nga distanca i dha avantazhin që në fillim ekipit zviceran në El Madrigal, por vendasit e Villareal përmbysën gjithcka që në pjesën e parë me golat e Alexandre Patos dhe Jonathan Dos Santos. Suksesi 2-1 ndaj Zyrihut e ngjiti nëndetsen e verdhë në krye të grupit L sëbashku me skuadrën turke të Osmanlispor që në sfidën tjetër mposhti 2-0 Steauan e Bukureshtit. Humbje shokuese për Interin që brenda në San Siro pësoi një disfatë me shifrat 2-0 nga izraelitët e Hapoel Beer Shevas. Një shtyllë e Eder në pjesën e parë ishte e pamjaftueshme për zikaltërit që në fraksionin e dytë u ndëshkuan nga golat e Vitor dhe Buzaglos. Në grupin K nuk zhgënjeu ndërkohë Southampton që në Angli kaloi me rezultatin 3-0 Spartën e Pragës, falë 2 finalizimeve të Austin dhe golit të Jay Rodriguez. Në grupin G, Ajaxi e nisi aventurën në Europa League me një sukses të rëndësishëm brenda në Athinë ndaj grekëve të Panathinaikos. Avantazhi i shpejtë i vendasve me Berg u përmbys nga rrjetat e Traore dhe Riedeëald. Në sfidën tjetër të këtij grupi Standarti i Liezhit dhe Celta Vigo u ndanë në një barazim 1-1. Në grupin H, një gol i argjentinasit Facundo Ferreyra cerek ore përpara fundit i dha 3 pikët e para Shakthar Donetsk që mposhti 1-0 në transfertë Konyasporin. Po në këtë grup Braga dhe Gent barazuan 1-1 mes tyre. Në grupin I ishte dita e skuadrave udhëtuese pasi Schalke 04 fitoi 0-1 në transfertë ndaj francezëve të Nice ndërsa me të njëjtin rezultat, Krasnodari mposhti Salzburgun. Goli më i shpejtë i këtij sezoni por edhe më i shpejti në historinë e Europa u shënua në grupin J në ndeshjen mes Qarabag dhe Slovan Liberec që u luajt në orën 17.00. Sykora kaloi në avantazh Liberecin pas vetëm 10,09 sekondash lojë. Ndeshja u mbyll me rezulatin 2-2, ndërsa Ansi Agolli luajti gjatë gjithë 90 minutëshit. Sfida tjetër e këtij grupi Paok-Fiorentina nuk prodhoi asnjë gol./ss/