Në projektin ‘Ndihmë tregtisë” angazhohen 150 studentë për punë praktike

E publikuar: 14/09/2016 13:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe UNDP, sot nënshkruan marrëveshjen për implementimin e projektit “Ndihmë tregtisë” në Kosovë.

Kjo marrëveshje ka për qëllim nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Drejtori i KIESA-s, Besian Mustafa, me këtë rast tha se marrëveshja me UNDP parasheh mundësimin e punës praktike për rreth 150 studentë nëpër Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme. Sipas tij, kostoja e këtij projekti është rreth 136 mijë euro.

Ai tha se nga ky program, përfitimet do të jenë të dyanshme ku sipas tij, NVM-të kosovare përfitojnë nga njohuritë me vlera akademike të studentëve, dhe në anën tjetër studentët do të kenë mundësi të fillojnë karrierën përmes punës praktike me shpresë që pastaj disa prej tyre të punësohen.

“Ka një përqendrim të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, veçanërisht sa i përket tregtisë, mirëpo edhe për promovimin e investimeve, eksportit, turizmit, zhvillimit të ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Andaj, një nga mandatet e KIESA-s që ndoshta është jashtë kësaj marrëveshje, por që është mjaft e rëndësishme për zhvillimin ekonomik në Kosovë, janë zonat ekonomike ose zonat industriale për t’iu ofruar një infrastrukturë kompanive, qofshin ato kosovare ose të huaja, për të ndërtuar fabrikat me një kosto të subvencionuar”, tha Mustafa.

Edhe përfaqësuesja e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, tha se projekti në fjalë ka për qëllim përkrahjen studentëve të diplomuar dhe MTI-së, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.

“Punë mjaft e mirë është bërë në këtë drejtim, duke paraqitur apo duke angazhuar praktikantë në vendet e punës për të përfituar përvojë dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen me shpresë që do të ndihmojë jo vetëm Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por edhe ekonominë e Kosovës në përgjithësi”, tha Roccasalvo.

Aktivitete të tjera nga ky program do të jenë edhe azhurnimi dhe zgjerimi i materialeve promovuese për investime në sektorin e turizmit, eksportit drejt një zhvillimi socio-ekonomik.