Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nuk ia siguron Kosovës heqjen e vizave. Është edhe kushti tjetër që ka vënë Brukseli- luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit.
Njohës të rrethanave politike dhe integrimeve evropiane kanë thënë se Qeveria po insiston në demarkacion më shumë për ta shpëtuar vetveten, duke anashkaluar kriterin tjetër. Sipas tyre, Kosova deri më tani nuk ka dëshmuar përkushtim të madh në ndjekjen e profileve të larta, që dyshohen se janë përfshirë në afera korruptuese, shkruan sot “Koha Ditore”.
Institucione të rëndësishme në nivel qendror e lokal vazhdojnë të udhëhiqen nga njerëz që kanë aktakuza, edhe pse BE-ja ka kërkuar që kësaj praktike t’i jepet fund. Ato që kanë munguar deri më tani janë vendimet e formës së prerë në rastet e ndjekjes së rasteve të korrupsionit.