Hoti diskutoi me përfaqësuesin e BEI nevojat për financime të Kosovës

E publikuar: 08/09/2016 16:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave Avdullah Hoti priti sot shefin e divizionit të Bankës Evropiane për Investime (BEI) për operacionet në Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, Matteo Rivellini, me të cilin diskutuan mbi prioritetet aktuale të Ministrisë së Financave dhe përditësimin mbi nevojat për financim.

Ministri Hoti dhe shefi i Divizionit të BEI-së për Kosovë Rivellini, diskutuan gjithashtu edhe për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, ratifikimin e marrëveshjes për Linjën Hekurudhore dhe fillimin e implementimit si dhe bashkëpunimin në të ardhmen.

Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për fushat e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektet që do të vijnë në të ardhmen e afërt, si dhe për krijimin e ideve se si BEI do të ndihmojë Ministrinë e Financave në mënyrë sa më efikase.