Në një takim mes kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari Lilës dhe ministrit të Financave, Avdullah Hoti është diskutuar për hyrje-daljet në këtë komunë.
Kusari-Lila ka thënë se Gjakova është e vetmja komunë që nuk ka hyrje-dalje të zgjeruara dhe kjo po ndikon në lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Sipas një komunikate për media, Hoti ka thënë se për shkak të keq menaxhimit të financave nga qeverisja e kaluar lokale, Gjakova ka pasur kufizime ligjore që kanë penguar projektet e tilla.
“Hoti ka thënë se për shkak të problemeve financiare, konkretisht keq menaxhimit financiar nga ish – qeverisja lokale, komuna e Gjakovës ka pasur kufizime ligjore, të cilat e kanë penguar që të jetë përfituese e projekteve të tilla, megjithatë, ai, ka shtuar, se është duke i shqyrtuar mundësitë që këto kufizime të tejkalohen dhe ky projekt të fillojë se realizuari”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, siç thuhet në komunikatë, përveç kërkesave të shumta, komuna e Gjakovës tashmë i ka përfunduar të gjitha obligimet e veta sa i përket këtij projekti, duke e përfunduar Studimin e Fizibilitetit dhe Studimin e Ndikimit në Mjedis, dy kushte këto që kërkohen nga partnerët ndërkombëtar, para fillimit të realizimit të projektit.