Hoti zmbrapset për kontratat 12-milionëshe

E publikuar: 06/09/2016 08:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është konfirmuar se tri kontrata prokurimi në vlerë mbi 12 milionë euro dy muaj më parë janë firmosur jashtëligjshëm nën trysninë e ministrit të Financave, Avdullah Hoti.

Korrigjimet në to janë bërë gjatë gushtit, me ndërhyrje të institucioneve, shkruan sot Koha Ditore.

Gjatë qershorit ministri Hoti i kishte shkruar drejtorit të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), Mursel Rracaj, me kërkesën që menjëherë të firmosej kontrata për furnizim me material zyrtar, ajo për furnizim me bileta të transportit ajror, si dhe kontrata për furnizim me goma për automjete.

Rracaj fillimisht kishte refuzuar ta bënte këtë, ngaqë ligji kërkonte edhe firmën e ministrit. Por, mosbindja pati zgjatur pak ditë, ngaqë një shkresë e karakterit urgjent për raportim që ia kishte dërguar më pas, ia pati ndërruar mendjen kreut të AQP-së.