Policia për paralajmërimet e VV’së për eskalim situate: Jemi të gatshëm për çfarëdo

E publikuar: 12/08/2016 17:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se janë të përgatitura të përballen me çfarëdo situate të mundshme në aspektin e sigurisë. Këto deklarata zyrtarët e policisë i kanë bërë pas paralajmërimeve të partive politike opozitare se në rast të miratimit të marrëveshjesh së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ato do të mund t’i radikalizojnë mjetet e tyre për të kundërshtuar dhe parandaluar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Daut Hoxha, zëdhënësi i Policisë së Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se policia është e gatshme të përballet më çdo situatë për të garantuar paqen dhe stabilitetin në vend.

“Mund t’ju konfirmojmë së Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saj i ndërmerr dhe do t’i ndërmerr bazuar në ligj dhe Kushtetutë të vendit duke pas si objektiv gjithnjë garantimin e rendit dhe sigurisë zbatimin e ligjshmëri në Republikën e Kosovës duke pas parasysh edhe respektimin e të drejtave njerëzore si e drejtë e garantuar”.

“Policia e Kosovës është e gatshme dhe ka kapacitete për të garantuar sigurinë e përgjithshme në vend dhe për tu ballafaquar më çfarëdo situatë që mund të paraqitet”, tha Hoxha.

Deputetet nga partitë politike opozitare në një nga mbledhjet e komisioneve parlamentare kanë paralajmëruar se nëse Kuvendi ratifikon këtë Marrëveshje, kundërshtimi do të jetë i masave radikale që do të mund të reflektonte në gjendjen e gjithanshme të sigurisë në vend.

Ata madje kanë thënë se do t’i përdorim edhe format jo konvencionale si mjet për arritjen e qëllimit.

“Paralajmërimet për përshkallëzim të situatës së sigurisë nga partitë politike në kuptimin formal të fjalës nuk janë kërcënime reale për sigurinë e Kosovës”.

“Fatkeqësisht në Kosovë po shihet se me kërcënimet e fundit ndaj individëve të cilët punojnë për çështje të caktuar brenda autoriteteve të Kosovës, brenda Qeverisë së Kosovës, komisioneve të ndryshëm, janë kërcënimet ndaj tyre që mund ta përshkallëzojnë situatën e sigurisë”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Hoxha thotë se autoritete e rendit duhet të jenë të gatshme për çfarëdo situate.

“Policia e Kosovës duhet të ketë plan veprimi për çdo protestë t’i mbrojë qytetaret e Kosovës. Edhe protestuesit duhet të shohin policinë e Kosovës me një sy pak ma miqësor jo armiqësor. Policia e Kosovës është për qytetarët e Kosovës. Nuk është për qeverinë apo për protestuesit, por është për qytetaret e Kosovës”, tha Hoxha.

Tutje, Hoxha ka thënë se partitë politike betejat e tyre politike i kanë dhe duhet tizhvillojnë brenda Kuvendit të Kosovës dhe ato të zhvillohen në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës se Kosovës.

Ndryshe situata e sigurisë në përgjithësi në Kosovë sipas autoriteteve të rendit vlerësohet të jetë stabile, ndonëse javët e fundit, janë sulmuar ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, është gjuajtur me gurë ndërtesa e qeverisë, kurse në shtëpinë e kryetarit të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, Murat Meha, ishte gjetur një granatë dore. /REL/.