Britani, Theresa May dhe antishqiptari Gove për kryeministër. Tërhiqet Johnson

E publikuar: 30/06/2016 21:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pa u tharë ende boja në letrën e dorëheqjes së kryeministrit Cameron, viktima e parë politike e rezultatit të referendumit për “Brexit”, në Britani ka filluar lufta për zëvendësimin e tij dhe të udhëheqësit të opozitës laburiste, Jeremy Corbyn.

Ndër kandidatët për postin e kryeministrit të ri, që do të duhet të zgjidhet nga konservatorët brenda 2 shtatorit, janë ministrja aktuale e Brendshme, Theresa May, e cila cilësohet si kandidate që garanton unitetin në atë parti dhe ka qenë pro qëndrimit të Britanisë në BE.

Ndërkohë, në shenjën e parë të një përçarjeje dhe mosbesimi në kampin e atyre që kërkuan daljen, ish-ministri i Drejtësisë Michael Gove, i njohur për referencat ndaj Shqipërisë për të argumentuar nevojën e daljes nga BE-ja gjatë fushatës, ka shpallur kandidaturën për kryeministër.

Por ish-kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson, i cili ka fshehur në të shkuarën pa sukses dëshirën për të pasuar shokun e tij të univerisitetit në postin e kryeministrit, ka surprizuar duke deklaruar se nuk do të konkurrojë nga kampi i “Brexit” për postin e kryeministrit të ri britanik.

Në radhët e konservatorëve janë edhe 4 a 5 kandidatë të tjerë që konkurrojnë, ndërkohë që deri tani për postin e kryetarit të opozitës laburiste, për të zëvendësuar Jeremy Corbyn, ndaj të cilit është zhvilluar revolta më e paprecedentë në politikën moderne britanike, e vetmja kandidate deri më tani është ajo e Angela Eagle, ministres së Ekonomisë dhe Biznesit në hije, ish-kampiones së shahut dhe të vetmes politikane të deklaruar publikisht si homoseksuale.

Udhëheqësi i opozitës laburiste Jeremy Corbyn, i njohur si politikan i ekstremit të majtë dhe me parapëlqime të hapura marksiste, me një këmbëngulje tipike prej një komunisti të paepur dhe qëndrim atipik prej një politikani britanik, refuzon të japë dorëheqjen nga posti, edhe pse kundër tij është i gjithë grupi parlamentar i partisë, të cilët i shkaktuan edhe humbjen në mocionin e pak ditëve më parë, me rreth 80 për qind të deputetëve të partisë në Parlament.

Betejat se, cili do të jetë kryeministri i ardhshëm dhe cili udhëheqësi i ri i opozitës, do të përcaktojnë se çfarë drejtimi do të marrin bisedimet dhe vet e ardhmja e marrëveshjes së Londrës me Brukselin, pas largimit nga BE-ja, madje edhe nëse do të konkretizohen ose jo skenarët e përfolur në korridoret e politikës, të një mundësie për një refendum të dytë, edhe pse për momentin duket e parealizueshme.

/ Top Channel