Autoritetet në Prishtinë thonë se pengesat e bëra nga Serbia janë faktori kryesor i mospranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në veçanti në institucionet evropiane. Krahas mospranimit nga pesë vendet e BE-së, bllokimi i Kosovës nga Serbia i ka pamundësuar asaj të jetë pjesë e një numri organizatash jo vetëm rajonale, por dhe më gjerë.
Qeveria e Kosovës thotë se synimi parësor i saj janë mekanizmat evropianë, dhe me theks të posaçëm Këshilli i Evropës, një prej institucioneve që për Kosovën ka nxjerrë dhe raporte.
Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë, se me pengesën që Serbia i bën Kosovës po shkel parimet themelore të anëtarësimit në BE.
“Qasja e Serbisë është plotësisht e papranueshme. Është një qasje politikisht delikuente dhe shumë e rrezikshme sa i takon sigurisë dhe paqes në rajon. Dhe për sa i përket plotësimit të njërës nga kushtet që vlen edhe për Serbinë, normalizimi i raporteve me fqinjët është si premisë për t’i shpejtuar hapat drejt integrimeve evropian”, tha Abdullahu.
Problemet me anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare janë theksuar posaçërisht me faktin e mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së dhe kundërshtimit të fuqishëm të Serbisë në organizata ku ajo mund të ketë ndikim më të madh.
Megjithëse ishte paralajmëruar prej vitesh anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës, Kosova mbeti ende jashtë tij, për shkak të pamundësisë së mbledhjes së votave të mjaftueshme. Aplikimi në këtë institucion evropian nuk është bërë, sado që autoritetet në Prishtinë e patën paralajmëruar vite më parë.
Abdullahu thotë arsyet pse Kosova deri me tash nuk ka aplikuar në ketë mekanizëm janë të ndryshme.
“Arsyet janë nga më të ndryshmet, por ajo çka mund të thuhet konkretisht është se ne kemi raporte të mira me Këshillin e Evropës. Nuk besoj se në të ardhmen e afërt do të jetë pengesë e madhe edhe tejkalimi i atyre sfidave që të njihemi edhe nga Këshilli i Evropës”, tha Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.
Por, ndërkohë, autoritetet në Prishtinë thonë se me BE-në, pavarësisht telasheve me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë arritur një marrëdhënie të re kontraktuale përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që do t’i mundësojë vendit përafrimin me BE-në duke tejkaluar dallimet e sotme brenda vetë këtij mekanizmi.
Anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, dy organizatat botërore të sportit, duket sikur kanë thyer mitin e mospranimit të Kosovës në botë.
Për qeverinë, Kosova ka ecur në drejtim të njohjes së saj në botë, por për opozitën, vendi nuk ka arritur të ndryshojë qasjen e institucioneve ndërkombëtare karshi tij.
Zgjim Hyseni, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosovën për vite me radhë e ka karakterizuar një politike e jashtme e dështuar dhe kjo, sipas tij, është rritur me koalicionin e dy partive më të mëdha në vend, PDK dhe LDK.
“Në këtë drejtim, një prej faktorëve që ka penguar suksesin dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare ka qenë fakti që tashmë dihet, edhe në shtete tjera partnere, që Kosova udhëhiqet prej një klase politike të korruptuar. Kjo është reflektuar në mos-suksesin tonë sa i takon politikës së jashtme”, tha Hyseni.
Por, sipas tij mos anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare është ndikuar edhe nga qasja që Kosova ka pasur në raport me dialogun me Serbinë.
“Në rast se ne nuk e konsiderojmë si kapitull të mbyllur marrëdhënien tonë me Serbinë, dhe gjithmonë ende ka ende për të diskutuar këtu, ky është një argument në duart e diplomacisë Serbe që [mund të thonë] ju lutem mos bëni hapa të njëanshëm për ta njohur Kosovën sepse ne ende po diskutojmë për ta gjetur një zgjidhje sa i takon kësaj pune”, tha Hyseni.
Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, konsideron se Kosova dhe institucionet e saj duhet të kenë qëllime të caktuara kur bëjnë kërkesë për anëtarësim në ndonjë mekanizëm ndërkombëtar.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës, duhet të thellojë reformat e brendshme për të forcuar kredibilitetin e vendit që mund të shfrytëzohet, sipas tij për anëtarësime në forume të ndryshme.
“Ne duhet t’i bëjmë prioritetet tona. Për mendimin tim çështja më primare e politikës së jashtme, sa i përket anëtarësimeve dhe njohjeve, është që vendi të fokusohet në pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Ne do të kemi telashe të mëdha pas 2-3 vitesh kur do të bëjmë hapa më serioz drejt anëtarësimit”, tha Muharremi.
Pengesa e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve vazhdon të jetë marrëdhënia ende e rëndë me Serbinë, transmeton rel.
Të dyja palët janë futur në një dialog për normalizim të marrëdhënieve, dhe sado që marrëveshja e prillit e vitit 2013 parasheh që asnjëra palë të mos e pengojë tjetrën në rrugën e integrimeve evropiane, një gjë është ende e qartë: Kosova nuk ka arritur të përafrohet me një numër të institucioneve evropiane.