Nga: Valdete Osmani
“Mami: Kjo po fle. Bëj muzikë. Mami, u ngjit lart. Të lutem zbrite në tokë!”
Mes lojës së birit tim dëgjova lajmin për vdekjen e Marte Tunajt. Lajmi për vdekjen e gruas së pathyeshme bashkë me fjalët e djalit tim më ngrinë gjakun. Sigurisht, djali po mendonte te lodrat e tij. Unë te vdekja e gruas, imazhin dhe guximin e së cilës nuk do t’i harroj kurrë.
U shua zëri i gruas së çeliktë!
Fuqia e një gruaje shqiptare nga Kosova Juglindore, por jo edhe dëshmia që ajo la pas.
Ballafaqimi me të kaluarën e saj mbase nuk do të pushojë as nën dhe!
Drejtësia që kërkoi ende nuk ka parë dritë.
Nën zë thotë se jeta i ishte bërë barra më e rëndë.
Marte Tunaj shkonte edhe më tej: “Ka kohë që kam vdekur! Ankthi më rizgjon”.
Gjurmët që lufta ia kishte lënë mbi trupin e saj, mbase do të mbesin një betejë e nëndheshme për të dhe për shumë gra shqiptare të Kosovës.
Mes rrëfimeve të dhjetëra dëshmive të trishta dhe të mbyllura të grave dhe vajzave kosovare të përdhunuara gjatë luftës, qindra ngjarje më erdhën në kokë!
Nga të filloj?
Nga breshëritë e plumbave të kallashnikovit të fqinjit në oborrin tim në vitin 1999?
Apo nga krimi që vazhdon të mos heshtë? Ashtu siç kryerësit e këtyre krimeve monstruoze kundër njerëzimit “dënohen” për të qenë të lirë!
Historia e Martes kishe nisur në fund të majit të vitit 1999. Në atë kohë në shtëpinë e saj ishte maltretuar, keqtrajtuar dhe përdhunuar nga paramilitari Milosh Jokiq.
Për dallim prej shumë viktimave të tjera që nuk arrijnë as t’i njohin dhunuesit e tyre, Marte Tunaj kishte arritur që më 25 shkurt të vitit 2000 të dilte para gjyqit duke e vënë para ligjit dhunuesin që kreu krim mbi trupin e saj.
Dëshmia rrëqethëse bëri që Miloshi të akuzohej dhe dënohej për krime lufte kundër popullatës civile.
Martja dëshmoi në prani të bashkëshortit, i cili ka qenë një nga përkrahësit më të mëdhenj të saj. Milosh Jokiqi, i njohur për krime në Komunën e Vitisë, u dënua nga gjykata me 20 vjet burgim, për t’u liruar më vonë, në prill të vitit 2013.
Në maj të vitit të shkuar u nisa drejt shtëpisë së Marte Tunajt. Të gjithë e njihnin rrugën e shtëpisë së saj.
Të gjithë flisnin për gruan që guxoi! Guxoi të fliste hapur për një temë që konsiderohej tabu në shoqëri dhe familje. E takova në shtëpi bashkë me familje.
Biseduam për më shumë se tri orë. Megjithëse shkova për të mësuar dhe publikuar historinë e trishtë që mbarte, nuk e shkrova asnjë germë.
Të dyja donim, por nuk e bëmë! Aq shumë kishte për të thënë… Secilit donte t’i rrëfente. Për dallim prej mijëra të tjerave, ajo fliste para të gjithëve! JO pas një perdeje. Jo me fytyrë të mbuluar.
Ishte e para. Ma rrëfeu çdo detaj. Më tregoi se si ishte e vetmja që i doli përballë dhunuesit.
Atij që i la shenja të pashlyeshme në mendje, trup dhe familje. Por që ndihej krenare për vendimin për të folur. Krenaria i zbehej kur vinte drejt fundit të rrëfimit.
Pavarësisht se sa i rëndonte familjarët, ajo vazhdonte të mos heshtte. Ishte bashkëshorti, shtylla kryesore që e mbështeste, teksa rikujtonte të gjithë procesin gjyqësor që kaloi.
“Të gjithë duhet ta dini. Të gjitha gratë duhet të dalin dhe të tregojnë si na përdhunuan policia dhe ushtria jugosllave. Kjo nuk duhet të harrohet. Rrëfimet tona duhet të jenë pjesë e historisë”, thoshte gjatë bisedës duke bërë thirrje për drejtësi dhe denoncime të mijëra rasteve të tjera.
Me gjithë këmbënguljen, nuk arrita që rrëfimin e saj ta bëja pjesë të ndonjë tregimi televiziv.
Të vetmit që lejonin ishin letra dhe lapsi. Por as këtë nuk e bëra!
Pjesë të ngjarjes nga biseda me të më ndjekin vazhdimisht.
Mungesa e një dëshmie filmike do të lërë boshllëk në çdo përshkrim rreth personalitetit të saj.
Jo pse nuk deshi… Në një çast me tha:
“Gjithçka e thashë në gjyq. E kapa përdhunuesin Milosh Jokiq. U dënua. Por pavarësisht kësaj, unë po e vuaj dënimin e tij brenda këtyre mureve. Ai po e shijon lirinë, të cilën ia dhanë gjyqet e bëra në Kosovë. Nuk jam penduar që jam deklaruar publikisht. Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Por për kë… për çka?” , thoshte ajo me duart e mbushura përplot ilaçe, për të cilat tregonte se me vështirësi arrite t’i paguante. Mbase historia e Martes dhe shumë histori të tjera do të përdoren si fakte historike. Mbase shumë prej tyre jo. Dëshmi të tilla duket se do të marrin fund përgjithmonë. Ashtu siç shumë të tjera duket se do të mbahen mend vetëm si “përdorim i konsumit ditor”.
Përtej rregullimit të statusit ligjor për këto gra u ngritën peticione në mbrojtje të tyre.
U formua Këshilli për mbrojtje të viktimave nga ish- presidentja Atifete Jahjaga. Kjo e fundit në shumë takime brenda dhe jashtë foli për to. U “thurën” fustane. U bënë këngë. Zëri i tyre vetëm një herë u dëgjua në Këshillin e Sigurimit. Çështje të cilën e ngriti ambasadorja e Kosovës në Nju-Jork, Vlora Çitaku. U tha se do të ngrihen padi kundër misionit të UNMIK-ut, por edhe kjo mbeti vetëm një lajm ditor pa vazhduar rrugën më tej.
Pavarësisht kësaj, në Kosovë ende nuk është formuar komisioni për identifikimin e këtij grupi të shoqërisë. Ende mungon mbrojtja ligjore e tyre.
Askush nga “burrat” e shtetit nuk doli hapur të flasë kurrë për to. Duket se vazhdon të mbetet një temë e “ndjeshme” në fjalën e tyre publike. Folën vetëm gratë… Më së shumti përfaqësueset e OJQ-ve, të cilat pa dyshim kanë bërë punë në këtë drejtim, por që kurrë nuk dhanë llogari publike për fondet milionëshe që morën në emër të trajtimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Ani pse zërat e tyre po dëgjohen rrallë e më rrallë. Beteja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës duket se do të vazhdojë. Dëshmitë që flasin edhe sot japin shpresë se vullneti i kërkimit të drejtësisë ende nuk është shterur.
Nuk do të heshtin së paku 29 viktima të dhunimit, të cilat vetëm në kohë lufte abortuan foshnja të përdhunuesve serbë. Ato që sollën në jetë fëmijë. Ato që u dëmtuan fizikisht, ashtu që më pas nuk arritën kurrë të gëzojnë ndjenjën e të qenit nënë.
Shpesh më kujtohet historia e Hanës dhe e Natyrës që ishin pjesë të dokumentarit tim vite më parë. Rrëfimet e tyre në dokumentarin “Krimi i padënuar që flet” në Top Channel, dhanë dëshmitë e tyre se si bashkë me të ëmën ishin viktima të përdhunimit. Historia e Zades nga Rrafshi i Dukagjinit, e cila muaj më vonë pas ngjarjes kishte abortuar nga dhunimi. Për vajzat e fshatit Qirez të Drenicës. Pas luftës u gjetën të groposura në një pus tri motra dhe nëna e familjes Dibrani nga Kozhica. Në këtë vend janë gjetur edhe gjashtë vajza të tjera të përdhunuara të hedhura në puse. Ndërkohë, në pusin e familjes Asllani ishin hedhur edhe 4 gra të tjera. Trupat e këtyre viktimave ishin nxjerrë pas luftës nga ekipet e Tribunalit të Hagës.
Fakte për dhunimin dhe vrasjet në Kosovë ndonëse në numër jo të madh u paraqitën edhe në Tribunalin e Hagës, ku u gjykua Slobodan Milosheviqi. Disa prej këtyre grave ishin pjesë të proceseve gjyqësore të organizuara nga UNMIKU fillimisht. Kosova edhe në ditët e sotme mbetet një dosje e madhe e krimit të pandëshkuar, edhe pse tashmë janë identifikuar rreth 50 vende ku janë kryer dhunimet seksuale.
Gjykata Speciale?
Cili do të ishte arsyetimi i saj nëse nuk i trajton edhe dhunimet e grave në Kosovë?
Nëse nuk vendoset drejtësia, plagët e mijëra kosovareve të dhunuara seksualisht nga forcat serbe të sigurisë nuk do të qetësohen. Kjo domethënë se nuk është vendosur drejtësia, sepse askush nuk ka ndjesi për klithmën e viktimave.
Marte Tunaj në mesin e të gjitha këtyre fakteve qetësinë do ta gjente vetëm atëherë kur drejtësia të zbatonte gjykimin e fajësisë.