Edhe zyrtarë të shtetit të përfshirë në trafikimin e prostitutave

E publikuar: 17/05/2016 09:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjashtë vajza kosovare këtë vit janë detyruar ta shesin trupin për të siguruar kafshatën e gojës. Ato punojnë si kamariere në lokale të natës, bare e restorante, ndërsa kryejnë edhe shërbime seksuale me pagesë, me urdhër të bosëve të tyre, nëpër shtëpi private.

Gazeta Fjala mëson se numri i vajzave që detyrohen në prostitucion po rritet nga viti në vit.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, 30 femra ishin viktima të prostitucionit, pjesa më e madhe e tëcilave është nën moshën 18 vjeçare.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, 25 ishin nga Kosova. Ndërsa janë arrestuar edhe katër shtetase të Shqipërisë dhe një nga Serbia që kryenin veprimtari të tilla në Kosovë.

Gjatë vitit të kaluar, katërmbdhjetë femra nën moshën 18 vjeçare kanë rënë në duart e grupeve trafikante, të cilat janë shfrytëzuar për prostitucion.

E trafikantët del të jenë edhe zyrtarë të lartë të shtetit.

Autoritetet kosovare vjet arrestuan një polic dhe një zyrtar të lartë të administratës lokale për krime që lidhen me trafikimin.

“Shumica e viktimave të trafikimit ende identifikohen në lokale nate-bare dhe restorante, por janë rritur edhe rastet kur viktimat identifikohen edhe në shtëpi private /apartamente, etj.”, thonë në Policinë e Kosovës.

Bazuar në rastet e hetuara nga policia statistikat tregojnë se shfrytëzimi për prostitucion të detyruar është forma kryesore, kurse format tjera të shfrytëzimit të viktimave si lypësi e detyruar dhe punë dhe shërbime të detyruara janë shumë më të rralla.