Kur kriza përshpejton zhvillimet politike

E publikuar: 13/05/2016 15:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agron HOTI

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 Kosova është përballur me krizën më të rëndë shtetërore të saj që nga shpallja e pavarësisë dhe pse jo që nga paslufta. Asnjeherë, pothuaj, nuk ka qenë më i lartë polariteti politik mes forcave politike sesa që është sot. Dhe pikërisht kur kriza kishte arritur zenitin e saj duke mos arritur të shënohej ndonjë sukses i theksuar në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar Kosova mori nga BE Marrëveshjen Stabilizim Asociim (MSA) si dhe rekomandimin pozitiv për heqje vizash. Kosova u pranua edhe në UEFA edhe pse infrastruktura sportive lë shumë për të dëshiruar. Sido që të jetë, ndryshimet pozitive ndodhën dhe kësaj natyrisht të duhet gëzuar të gjithë ne.

Por, pyetja është: Pse BE bëri ‘lëshime’ aq të mëdha në kohën kur Kosova po ziente nga brenda?! Pse BE u ‘hap’ aq shumë për Kosovën në një kohë kur funksionaliteti i saj linte për të dëshiruar sidomos pas zgjedhjeve të vitit 2014?! Pse ndodhi tërë ky ndryshim dhe cilët ishin faktorët shtytës vendorë e ndërkombëtarë që transformuan kaq shpejtë politikat e BE-së karshi Kosovës, rast ky i paprecedent në Ballkan?! Të gjitha këto pyetje përgjigjen e gjejnë brenda taktizimeve të shumta politike të BE-së herë haptazi e herë heshtazi.

Për të paqetuar më tej Ballkanin, BE dhe komuniteti ndërkombëtar përdorën ca taktika politike të ndjeshme. Së pari, BE bëri presion te pala kosovare që të hynte në marrëveshje politike e më pas juridike me Bashkësinë Ndërkombëtare (Specialja), Serbinë (Asociacioni) dhe Malin e Zi (Demarkacioni), por që në të njëjtën kohë i frikësohej potencialit demonstrues të një popullsie të re në një gjendje ekonomike dhe sociale të mjerë gati shpërthyese. Për të kaluar marrëveshjet më lehtë, BE heshtazi ‘mbylli’ sytë para eksodit masiv të afro 100 000 shqiptarëve në fund të vitit 2014 dhe në fillim të 2015. Vlen të përmendet fakti që pothuaj krejt në sytë e opinionit botëror ishte armata dhe policia e Serbisë ajo që haptazi mbështeste këtë eksod me shpresën që Specialja (S), Asociacioni (A) e Demarkacioni –D- (më pas SAD) të jetësoheshin sa më shpejtë me qëllim dëmtimi multidimenzional të Kosovës, ndërkohë që Hungaria ‘befasisht’ hapi kufirin e saj dhe për këtë nuk merrte asnjë kritikë të hapur nga Brukseli siç ndodhi me refugjatët nga vendet arabe, ndaj të cilëve u ndërtua gardhi ‘evropian’ mu në zemër të Evropës.

Krahas eksodit të dhimbshëm filloi presioni i BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale për Kosovën. Dhe pasi ikën nga Kosova afro 100 000 të rinjë pasuan marrëveshjet politike për SAD-in. Dhe spektri politik i Kosovës nuk kishte shumë për të zgjedhur këtu, të tri marrëveshjet politike të SAD-it duhej jetësuar, në të kundërtën Kosova do të vetë-izolohej, së paku kështu ishte përceptimi. Por, këto marrëveshje nuk kaluan sipas planifikimeve të Brukselit dhe situata, edhe përkundër vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, u bllokua për një kohë të pacaktuar. Kjo i bënte mirë pozitës sepse ruante fytyrën para publikut nga mosratifikimi i këtyre marrëveshjeve të dhimbshme, kurse opozita tentonte të fitonte poena politikë duke tentuar të bllokonte këto tri marrëveshje të SAD-it si të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës, ndërkohë që BE dhe Serbia vetëgënjeheshin se gjërat ishin në proces. Si duket forcat politike në Kosovë kësaj radhe ishin kombinuar mirë duke ja dalur, së paku deri sot, të neutralizonin jetësimin e marrëveshjeve të dhimbshme. Pra, taktika e parë e BE-së pothuajse dështoi në tërësinë e saj falë kombinimeve taktike me apo pa vetëdije të establishmentit politik në Kosovë nën moton: unë ‘prano’ ti ‘kundërshto’.

Polarizimi i skajshëm mes kombinatorikave politike në Kosovë rreth marrëveshjeve politike të SAD-it bëri që shteti i Kosovës të gjendej përballë një përshkallëzimi të mundshëm të përplasjeve politike me përfshirje në rritje të elementit qytetar. Kjo gjendje jepte sinjale shpërthyese dhe Brukseli e kuptoi mirë mesazhin. Retorika tashmë e njohur e BE-së që ‘Kosova kishte perspektivë evropiane’ dukej të ishte konsumuar tashmë. Prandaj, BE filloi me taktikën tjetër të saj, atë të domosdoshmën, pra me materializimin e perspektivës evropiane duke filluar së pari me MSA-në. Më herët na thuhej që avansimi i perspektivës evropiane do të ndodhte vetëm atëherë kur do të arrihej progres në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë që ndodhi krejt e kundërta, dominoi regresi dhe shteti që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 nuk ishte tërësisht funksional. Kjo natyrisht që alarmoi Brukselin e interesuar për paqëtimin e mëtejmë të Ballkanit, prandaj dhe duhej filluar me taktika shtesë.

Duke e parë që MSA-ja nuk po mjaftonte për ‘stabilizimin‘ e situatës së përthyeshme politike, BE lëvizi me taktikën e radhës duke dhënë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Vazhdimisht na thuhej edhe këtu se patjetër duhej arritur progres në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, por që përpos regresit të konfirmuar nëpër raporte të shumta ndërkombëtare nuk u arrit diçka më shumë. Disi harroi BE-ja se çfarë kushte të rënda na kishte vënë që sa e sa vite dhe befas na u dha rekomandimi pozitiv. Kjo natyrisht që nëse do të jetësohet shpejtë do të kontribuonte në depolarizimin e spektrit politik në Kosovë dhe jo vetëm. Përmes procesit të liberalizimit BE shpreson ta mbajë qeverinë gjallë, ta mbajë gjallë dialogun me Serbinë duke u munduar kështu që të avancojë në procesin e integrimit evropian në këtë rajon të komplikuar. Në aspektin e brendshëm, liberalizimi do të neutralizojë në masë të madhe potencialin shpërthyes qytetar në Kosovë, këtu nuk ka asnjë mëdyshje tashmë.

Por, kush ishin faktorët shtytës ndërkombëtarë që kombinoheshin mirë me gjurolltinë e brendshme politike të Kosovës? Tashmë dihet që kriza në lindjen e mesme ka pasur efekte të shumta negative në BE dhe jo vetëm. Numri i pafund i refugjatëve që kishin mësyrë BE-në pothuajse paralizoi funksionalitetin e BE-së. Sulmet terroriste në Paris dhe Bruksel dërrmuan nga brenda stabilitetin politik dhe sigurinë e BE-së. Konflikti i Rusi-Ukrainë dhe Rusi-Gjeorgji shpërfaqi sterilitetin politik të BE-së karshi zhvillimeve rajonale dhe pse jo globale. Dhe BE për të rritur atraktivitetin e saj filloi të ‘kërkonte’ aleatë strategjikë. Turqia, doli të jetë aleat i zorit i BE-së, por i domosdoshëm për sigurinë e BE-së.

E dërmuar nga kriza e refugjatëve, BE-ja i njohu Turqisë epitetin e fuqisë së pakontestueshme rajonale dhe si sihariq i tha që pas ‘plotësimit’ të disa kritereve do iu heqim vizat. Njëjtë do të veprohet ndoshta dhe me Ukrainën e Gjeorgjinë. Pra, në linjë me interesat amerikane në Evro-Azi, BE filloi të ofrojë atë çfarë për momentin kishte mundësi të ofronte për këto tri vende problematike (Turqi, Ukrainë dhe Gjeorgji) por jetike për sigurinë e BE-së. Krahas kësaj SHBA-të do rrisin prezencën e tyre ushtarake në Evropë nga dy brigada sa kishin në tri gjithnjë duke ju përgjigjur kërcënimit rus në baltik, Ukrainë dhe Detin e Zi. Pra, BE duke qenë direkt e rrezikuar nga zhvillimet në lindje të mesme dhe lindje të Evropës pothuaj anashkaloi tërësisht kërkesat e saj për përmbushje të kritereve të BE-së për vendet aspiruese. Si rezultat i kësaj përfitoi dhe Kosova.

Pra, kriza në lindjen e mesme dhe ´dorëzimi´ i BE-së para Turqisë, si faktor kyç në tejkalimin e krizës së refugjatëve, e demaskoi qasjen e zërave të BE-së ndaj Kosovës, se kinse heqja e vizave për qytetarët e Kosovës do të rrezikonte sigurinë e Evropës. Pyetja është tani: a më shumë e rrezikojnë (kuptohet nëse e rrezikojnë) sigurinë e Evropës 2 milion qytetarë të Kosovës, 75 milion turq, 45 milion ukrainas, apo 3,7 milion të gjeorgjianë?! A më shumë e rrezikojnë Evropën Ukraina e Gjeorgjia, dy vende këto të cilat nuk kontrollojnë një pjesë të mirë të territorit të tyre të pushtuar nga Rusia apo Kosova e cila përmes NATO-s i kontrollon shumë mirë kufijtë e saj? A më shumë rrezikon Evropën Turqia e cila është korridor i rrezikshëm i rrymave të ndryshme radikale apo Kosova si një pikë ujë në deti dhe me popullsinë më proevropiane në Evropë?!

Pra, përshpejtimi i përfitimeve të Kosovës në procesin e integrimit Evropian ndodhi si rezultat i kombinatorikave të brendshme politike të Kosovës, pastaj nga kriza e refugjatëve të lindjes së mesme si dhe frika e BE-së nga kërcënimi rus në baltik, Ukrainë dhe pellgun e Detit të Zi. Prandaj, kërkesat për përmbushje të kritereve për MSA dhe procesin e liberalizimit të vizave heqje ishin një instrument më shumë pengues politik i BE-së për vende aspiruese se sa diçka konkrete, ndërkohë që krizat i anashkalojnë tërësisht këto pengesa. Përvoja ka treguar që BE më shumë bën kalkulime politike se sa që kujdeset për përmbushje të ndonjë farë kriteri. Për hirë të së vërtetës heqja e vizave për Kosovën është një proces i stërvonuar kur dihet kontributi i shqiptarëve në evropeizimin e Evropës dhe arritjen e paqes së qëndrueshme në Ballkan pas vitit 1999. Po të njihej ky kontribut, vizat do të duhej hequr në vitin 1999. Megjithatë, thuhet një fjalë popullore “më mirë vonë se kurrë”, proaktiviteti politik i një vendi nuk duhet ndalur, pa marrë parasysh a bëhet me situatë të qetë apo përmes krizës, pra qëllimi aryeton mjetin.

Krejt në fund rezultati politik mbeti 2 me 2. Pozita mori MSA-në dhe Vizat, kurse opozita bllokoi Asociacionin dhe Demarkacionin, ndërkohë që Specialja mbeti jadec. Pra, në rast të zgjedhjeve të parakohëshme askush nuk do të hynte në fushatë elektorale as si fitues e as si humbës. Natyrisht që ky nuk ka qenë qëllimi i kombinatorikave politike, por ja që realiteti na doli të jetë kështu.

(Autori ka magjistruar në fushën e integrimeve evropiane)