Duka në Rai 2: De Biasi i përqëndruar te Euro 2016

E publikuar: 02/05/2016 11:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I ftuar në emisionin më të famshëm të futbollit në Itali, La Domenica Sportiva, presidenti i Federatës Shqiptare, Armand Duka e ka thënë qartë, madje në gjuhën italiane, se De Biasi është i përqendruar vetëm te pjesëmarrja në Euro 2016 me Kombëtaren kuqezi. Duka i dribloi të gjithë në studio, nga moderatori Alessandro Antinelli, e deri te emrat e mirënjohur si Giovanni Trappatoni, Ivan Zazzaroni, gazetarin Bruno Pizzul apo edhe menaxherin e skuadrës te Interi, Ivan Ramiro Cordoba, kur u pyet nëse do ta lejonte De Biasin të merrte detyrën në përfaqësuesen Italiane pas KKampionatit Europian.

“Këto janë fjalët e mediave dhe gazetarëve, por De Biasi është i përqendruar vetëm te Kampionati Europian me Shqipërinë. Nuk mendoj që, të paktën për momentin, po mendon për Italinë.”

Megjithë këmbënguljen e shfaqur në studion prestigjoze të televizionit publik, RaiDue, kreu i futbollit shqiptar nuk u lëkund.

“Nuk është mirë të mendojmë që tani, për atë se çfarë mund të ndodhë pas Europianit. Të gjithë duhet të mendojnë që të jenë të përqendruar për Kampionatin Europian dhe të paraqitemi mirë… E kam thënë edhe në intervista të mëparshme: është hera e parë që luajmë në Europian jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për trajnerin De Biasi, që për herë të parë do të jetë në një eveniment kaq të rëndësishëm. Edhe ai duhet ta shfrytëzojë në maksimum këtë mundësi dhe të bëjë një punë të mirë.”

Sipas presidentit Duka, as marrëdhënia e mirë me homologun e Federatës Italiane, Taveçhio nuk duhet të shërbejë si shpërqendrim, ndërsa la të hapur çdo diskutim pas Euro 2016.

“Po flasim për profesionistë. Taveçhio dhe të gjithë në Federatën Italiane janë profesionistë, që nuk mund ti bëjnë ofertë një trajneri i cili po përgatitet për Kampionatin Europian. Pas Euro 2016, jemi të hapur të flasim për gjithçka.”

Pas vlerësimeve për punën e kryer nga De Biasi, ndihmësi Tramezzani edhe ai i ftuar në studio dhe stafi shqiptar, Armand Duka iu përgjigj me humor ngacmimeve nga Ivan Zazzaroni nëse De Biasi do të qëndronte në Kombëtaren shqiptare vetëm nëse fitonte Europianin dhe moderatorit Antinelli për mundësitë që detyra e trajnerit kuqezi ti besohet Tramezzanit.

“E pranushme për ne është që me De Biasin të kualifikohemi edhe deri në finale. Përsa i takon Paolos, kam përshtypjen se ai nuk dëshiron të largohet asnjëherë nga Shqipëria.”

Zv.trajneri Tramezzani nuk i fshehu lidhjet e forta me ngjyrat kuqezi, ndërsa krahasonte Juventusin e Conte-s me atë të Allegrit.

Paolo Tramezzani: Juventusi i Conte-s më pëlqente më shumë, sepse kishte një shpirt loje unik, i ngjashëm me shpirtin e lojës, me të cilin edhe Kombëtarja shqiptare i interpreton ndeshjet.

Gjatë programit La Domenica Sportiva, kreu i futbollit shqiptar, theksoi se kampionati italian mbetet shumë i ndjekur në vendin tonë, ndërsa falënderoi Silvio Berlusconin për kontributin e dhënë te Milani, skuadër me të cilën mbetet tifoz. Armand Duka pohoi se në Shqipëri ka shumë tifozë milanistë apo juventinë, ku lojtari më i pëlqyer bardhezi është Gianluigi Buffon, por tha se së fundmi mbështeten edhe ekipet e shqiptarëve si Lazio e Berishës apo Napoli i Hysajt, për të cilin korrigjoi panelin edhe në shqiptimin e emrit.

Armand Duka: Normalisht ekipet më të dashura janë Milani dhe Juventusi, por ndoshta së fundmi edhe skuadrat ku aktivizohen futbollistë shqiptarë. Napoli, ku luan lojtari ynë shumë i zoti, Hysaj. Apo Lazio, ku luan Berisha. Si thatë? Isaj? Në shqip thuhet Hysaj.