Një maji papunësia

E publikuar: 30/04/2016 22:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Agim A. Hoxha

Dita e punëtorit apo 1 Maji është një festë vjetore e cila kremton të arriturat dhe sukseset e punëtorëve. Kjo ditë festohet në vende të ndryshme të botës, kuptohet, me pak diferencë në data por me një qëllim të përbashkët i cili daton që nga origjina e themelimit, që si synim kishte bashkimin e punëtorëve dhe krijimin e lëvizjes e cila do të ishte krahë i fortë dhe avokat i mbrojtjes së punëtorëve dhe të drejtave të tyre. Kjo lëvizje filloi pas Luftës Civile dhe kishte për qëllim reduktimin e orëve ditorë nga 10 orë në 8 orë.

Kosova, si një vend i vogël me 1.8 milion banorë, ku mosha mesatare është 29.5 vjeçare, moshë kjo që cilësohet fuqia e çdo shteti dhe e ardhmja e çdo kombi. Sot, përballet me sfidën e papunësisë, varfërisë dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.

Kështu, që nga viti 2002 si pasojë e privatizimit rreth 70.000 punëtorë u larguan nga puna dhe kështu e thelloi edhe më tepër krizën ekonomike sepse rreth 12.000 familje mbetën pa të ardhura.

Në kohën kur populli priste ndryshime pozitive. Në prag të zgjedhjeve vazhduan retorikat në formë ankandi se kush po ofronte më shumë vende pune ai do t’i fitonte zgjedhjet, dikush ofronte 120.000 vende të reja pune, dikush 200.000 vende të reja pune. Flisnin për Misione të reja, por që në fakt ishin dhe mbetën gënjeshtra të vjetra!

Këto premtime, nuk shfaqën asnjë shkëndijë shprese se dikush u punësua në këto dy vitet e para të koalicionit qeverisës që së bashku premtuan 320.000 vende të reja pune dhe nuk arritën të dyja bashkë të punësojnë qoftë 5.000 vende punë! Kjo argumenton qartë qëllimin e tyre real që t’i fitonin zgjedhjet dhe aspak t’i zgjidhnin hallet e qytetarëve ose ta përmirësonin gjendjen sociale dhe ekonomike në vend. Rritja e zgjënjimit vazhdon përshkak të joefikasitetit dhe joproduktivitetit që të menaxhohet kriza ekonomike dhe çështja e punësimit nga udhëheqesit të cilët vazhdojnë të qëndrojnë indiferent karshi kësaj gjendjeje në të cilën ndodhet vendi.

Kështu, ditët iknin dhe kësaj ikjeje iu shtuan shumë qytetarë të Kosovës të cilët iu bashkuan karvanit të gjatë të kësaj rrugë dhe të cilët morën me vete edhe zgjënjimin e madhë se në vendin e tyre do të bëhet më mirë, duke provuar fatin e tyre jashte vendit.
Zgjënjimi rritej dhe shpresat shuheshin dhe kjo situatë prodhoi largimin masiv të rreth 100.000 qytetarëve të Kosovës për një jetë më të mirë.

Në fazën e vështirë në të cilën po kalonte Kosova, udhëheqësit e shtetit dhe ministrat e ekonomisë flisnin shifra për rritje të ekonomisë dhe për zbutjen e papunësisë, por realiteti doli të jetë krejtësisht ndryshe.

Bazuar në raportin e vitit të kaluar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale, rreth 29.3% e familjeve kosovare jetojnë në varfëri të skajshme, me vetëm 1.72€ në ditë, ndërsa 10,2% e popullsisë jetojnë me vetëm 1.20€ në ditë.

Si pasojë e krizës ekonomike dhe papunësisë, shumë qytetarë futen në borxhe nëpër markete të vogla e deri tek farmacitë për medikamentet esenciale.

Kjo krizë nuk la pa i prekur edhe shume kinezë të cilët e provuan fatin e të bërit biznes edhe në Kosovë, dikur dyqanet e tyre ishin plotë ndërsa sot janë të mbyllura.

Investimet e huaja janë duke rënë. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës vetëm nga viti 2007-2013, investimet e huaja në Kosovë kanë rënë për 200 milion euro dhe kjo shifër vazhdon të bie. Shkaktarët kryesorë për këtë rënie kaq të madhe janë të shumtë: korrupsioni, mungesa e zbatimit të ligjit, politikat e gabuara në joshjen e investitorëve, procedurat e stërgjatura që shpeshhëre kanë ndikuar që investitorët të ikin në shtetet fqinje etj.

Sot, edhe pse ekziston ligji i punës i cili garantohet nga Kushtetuta e Kosovës, si i tillë pak zbatohet dhe ka mbetur vetëm ligj në letër sepse e drejta e punëtorit shkelet me të dy këmbet nga punëdhënësi. Në këtë papunësi edhe ata pak punëtorë të cilët punojnë hasin në vështirësi sepse përveç presionit të largimit nga puna, atyre iu bëhen edhe padrejtësi tjera të shumta. Nëpër kontratat e tyre i shkruan 8 orë ndërsa atyre i kërkohet të punojnë 10 deri 12 orë në ditë, nuk kanë pushim të rregullt javorë, punojnë gjatë festave dhe jashtë orarit dhe nuk paguhen shtesë. Gratë shtatzëna në prag të lindjes largohen nga puna me qëllim që firmat të mos ia paguajnë pushimin e lindjes.

Se si çmohen punëtorët në Kosovë, mjafton t’i shikosh ish punëtorët e fabrikës së tubave të Ferizajt, të cilët i janë futur ditës se 700-të dhe ende vazhdojnë nëpër tenda, ku edhe i kaluan të gjitha sfidat dhe stinët, gjendja e tyre është duke u keqësuar, por ata me këmbëngulje i kërkojnë të drejtat e tyre për kompenzim të viteve 1990, të cilet u larguan nga puna në mënyre të dhunshme nga serbet.

Dikush mund të pyes: ” Përse populli shqiptar ka ngelur mbrapa? “.

Dobësia jonë si popull është se ne dimë të bashkohemi vetëm në vuajtje ose kur të na kanoset rreziku dhe duhet të mbrohemi nga armiku, por asnjëherë ne nuk bashkohemi për ta çuar vendin përpara. Këtë e ka dëshmuar e kaluara dhe këtë po e dëshmojmë edhe sot.

Popujt ose shtetet tjera patriotizmin dhe nacionalizmin e asociojnë ose e lidhin me punë ndërsa ne shqiptarët gojën e kemi plotë patriotizmin dhe nacionalizmin vetëm kur bie fjala për sportin dhe për të kaluarën e paraardhesve tanë me të cilët mburremi të gjithë, por nëse nuk i përvjelim mangët dhe nuk punojmë atëherë kjo nuk na ndihmon as në të tashmën dhe as në të ardhmën nëse dëshirojmë të tregohemi të suksesshëm si shtet dhe të kemi një të ardhme më të mirë dhe më të ndritur si popull.