Mbrojtësi i skuadrës së Borussia Dortmund, Mats Hummels vazhdon të mbetet në axhendën e Barcelonës. Lajmi konfirmohet nga gazeta gjermane “Bild” ku sipas saj drejtori i përgjithshëm i blaugranave për merkaton jashtë Spanjës, Ariedo Braida ka nisur punën që të vendosë në dispozicion të trajnerit Luis Enrique për sezonin e ardhshëm 27-vjecarin. Hummels ka një kontratë më verdhezinjtë që përfundon në Qershor të 2017 dhe nga ana tjetër duket se dhe dëshira e vet lojtarit është të ndryshojë skuadër. 32 milionë Euro është shuma që duhet paguaj Barcelona nëse dëshiron të bëjë të mundur transferimin në Camp Nou të shtatlartit të kombëtares gjermane.
Për Mats Hummels janë në garë dhe dy skuadra nga Premier League, Man.United, dhe Arsenal. Drejtuesit e Barcelonës duket se për sezonin e ardhshëm kanë ndërmënd një ristrukturim të skuadrës, ku sigurisht mbrojtja mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm ku rinovimi me elementë cilësorë është mëse i nevojshëm. Gjatë verës nga blaugranat pritet të largohen Bartra dhe belgu Vermalen të cilët nuk kanë arritur të bindin trajnerin Luis Enrique me paraqitjet e tyre. Ndërkohë që Pique dhe Mascherano me shumë gjasa do të qëndrojnë.