E pabesueshme. Barcelona në krizë të thellë. Valencia i jep shuplakën e tretë në 4 javët e fundit skuadrës katalanase me një fitore që nuk ndryshon asgjë për sezonin e kësaj skuadre, por zyrtarizon krizën e skuadrës katalanase që mbetet në vendin e parë vetëm për meritë të avantazhit të drejtëpërdrejtë që ka në sfidat me Atleticon e Madridit. 11 pikë të hedhura në erë brenda 4 javëve për Barcelonën e Luis Enriques ka rihapur çështjen titull kundër çdo parashikimi. 2-1 triumfoi Valencia në “Camp Nou” ku tifozët ishin dëshmitarë të një tragjedie të vërtetë. Ndaj Valencias duhej të ishte ndeshja e shërimit të plagëve të marra në javët e fundit, por “blaugranat” u rrëzuan nokdaun duke u barazuar jo vetëm me Atleticon e Madridit, por duke i dhënë një mundësi të artë edhe Realit të Madridit që tashmë është në ndjekje me vetëm një pikë më pak. Ishte Rakitic ai që shënoi autogol në portën e tij në minutën e 26.
Ndërkohë, Santi Mina dha goditjen finale në fundin e pjesës së parë. Barcelona u rikthye në fushë me idetë të paqarta, ashtu si sulmet e pakordinuara për të gjetur rrjetën. Messi krijoi iluzionin se ndeshja mund te merrte një tjetër drejtim por goli i minutës së 63 ishte edhe i fundit për mbrëmjen e zezë katalanase ku Suarez e Neymar shpërdoruan shumë duke mos arritur të barazonin rezultatin. Një humbje që mund të rrëzojë gjithçka u ndërtua brenda një sezoni fantastik deri në El Clasicon e përpara pak javëve, Barcelona u jep një asist dy skuadrave të Madridit.