Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën do ta zyrtarizojnë të hënën koalicionin e tyre parazgjedhor njofton Klan Kosova
Klan Kosova ka mësuar se pjesë e këtij koalicioni nuk do të jetë edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, që ishte mysafir në Info Magazine i ka konfirmuar bisedimet midis dy subjekteve.
“Shpresojmë se do ta formalizojmë një marrëveshje me Nismën. Besoj se shumë shpejtë do ta realizojmë”, ka thënë Gjini.
Diçka e tillë nuk është thënë se do të ndodhë edhe me Vetëvendosjen.
Problemet në bllokun opozitar kanë filluar kur tri partitë, Vetëvendosje, AAK e Nisma kishin vendosur të anulonin protestën e 26 marsit, të thirrur kohë më parë.
Gjini ka treguar se vendimi kishte ardhur njëanshëm nga Vetëvendosje dhe përkundër kundërshtimeve në fund AAK’ja kishte vendosur ta respektojë vendimin.
Thellimi i përçarjes ka vazhduar kur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si e vetme, vendosi të thërras protestë për datën 14 maj, të cilën Vetëvendosje nuk po e përkrahë.
Jo vetëm që nuk e kanë përkrahur, “por ata po thërrasin njerëzit që të mos dalin në protestë”, ka thënë Gjini.