Personalitetet e politikës botërore që kanë konfirmuar pjesmarrjen në inaugurimin e Thaçit president

E publikuar: 06/04/2016 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të premten, Hashim Thaçi, merr postin e presidentit të vendit, në një ceremoni madhështore e cila do të organizohet në sheshin Skenderbe në Prishtinë, e ku do të marrin pjesë shumë personalitete të politikës rajonale dhe botërore.

Deri më tani, siç ka mësuar lajmi.net, nga burime të afërta me ekipin e presidentit në ardhje, pjesmarrjen në ceremoninë e inaugurimit, e kanë konfirmuar personalitete të larta të politikës rajonale, duke përfshirë këtu presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, tre udhëheqësit e shtetit shqiptar, presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, dhe kryeparlamentari Ilir Meta. Më pas kryetari i Parlamentit të Turqisë, Ismail Kahraman, bashkë me 7 përfaqësues të subjekteve politike në parlamentin turk.

Nga Bullgaria pjesmarrjen e ka konfirmuar nënkryetari i Kuvnedit, nga Mali i Zi zëvendëskryeministri, ndërsa nga Maqedonia të premten në inaugurimin e Thaçit president do të jetë zëvendëskryeparlamentari, Rafiz Halili.

Të konfirmuara me nivel të lartë përfaqësimi lajmi.net, ka mësuar se janë edhe delegacionet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nga Konferenca e vendeve islamike, nga Egjipti, Gana, Jordania, Kosta Rika, Japonia, Bahrini, Katari, Kuvajti, Arabia Saudite, Kanadaja, Latvia, Estonia, Danimarka, Austria, Malta, si dhe delegacione të tjera. Ndërsa nga Belize do të jetë i pranishëm Guvernatori Gjeneral i këtij shteti, Colville Young

Gjithashtu, pjesëmarrjen në inaugurimin e Presidentit të ri të Republikës së Kosovës e kanë konfirmuar edhe pesë shtetet e Kuintit. Në krye të delegacioneve të tyre do të jenë drejtorët e përgjithshëm të politikës së tyre të jashtme.

Kurse, në krye të delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee.