Mbrojtja bunker, Juventusi drejt rekordit dhe festës

E publikuar: 05/04/2016 16:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Titulli i pestë radhazi kampion në Serinë A është më pranë, por te Juventusi vijojnë të mbeten të uritur për fitore dhe rekorde. Bardhezinjtë kërkojnë takimin me historinë, ndërsa avantazhi prej 6 pikësh nga Napoli, kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje për t’u luajtur në kampionatin italian duken një garanci.

Pas realizuan një përmbysje të jashtëzakonshme duke u ngjitur në krye të renditjes, skuadra e Allegrit kërkon të realizojë të tjera arritje prestigjoze.

Në veçanti, ajo që ka shkëlqyer është mbrojtja e Juventusit, që deri në këtë pikë të sezonit ka pësuar vetëm 16 gola, nga të cilët njërin me penallti. Një bunker i padepërtueshëm për rivalët, që i bën bardhezinjtë të synojnë rekordin e kampionatit me 20 skuadra të mbajtur nga ata vetë. Në sezonin 2011-2012 me Antonio Conten në stol, Zonja e Vjetër e fitoi titullin duke pësuar vetëm 20 gola në 38 ndeshje.

Për të vendosur një primat të ri, Juventusi duhet të pësojë maksimumi 3 gola në 7 javët e mbetura. Një objektiv i vështirë, por jo i pamundur për t’u realizuar nga një repart që gjatë këtij sezoni u detyrua të hiqte dorë nga Caceres dhe nga dëmtimet e shpeshta muskulore të Chiellini-t.

Vendimtar Gianluigi Buffon me rekordin e paprekshmërisë së portës, ndërsa ekziston edhe një tjetër primat që mund të vendoset. Nëse Juventusi nuk pëson më tepër se dy gola në katër ndeshjet në shtëpi ndaj Palermo-s, Lazio-s, Carpi-t e Sampdoria-s, skuadra do të thyente rekordin e sezoneve 2005’06 dhe 2013-’14, ku bardhezinjtë kanë pësuar vetëm 9 gola në fushën e tyre.