“Unë, që po ju shkruaj, jam një njeri të cilit i erdhi fati në derë pa e kërkuar. Ndoshta do t’u duket çudi, por ja që kjo mrekulli ndodhi me mua dhe besoj se Zoti m’i shpërbleu të gjitha vuajtjet”, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, M. T.
Jam martuar në moshën 30 vjeç. Ajo me të cilën u martova ishte një vajzë 20 vjeçe. Ishte shumë e bukur dhe shumë punëtore. Nuk e mora me dashuri, po me mblesëri dhe në fillim nuk isha pishman. Pesë vitet e para të martesës ishin vitet më të bukura të kohës që kalova me të. Gjatë këtyre viteve, na lindën tre fëmijë, dy vajza dhe djali. I bëmë shpesh dhe u rritën si moshatarë, por nga mbingarkesa e punëve të shtëpisë, punës së shtetit dhe fëmijët e shpeshtë, gruaja ime ndryshoi shumë. Ai filloi të shkonte keq me prindërit e mi dhe m’u desh të dilja në shtëpi tjetër me qira, por ajo nuk ndryshoi shumë. Tani ankohej se nuk na dilnin paratë, ngaqë po paguanim qiranë. Më bëhej koka lëmsh nga fjalët e saj sa shkoja në shtëpi. Fëmijët pak nga pak po rriteshin dhe, të them të drejtën, nuk kishte arsye që të inatosej e të acarohej ashtu siç bënte ajo. Gjatë kësaj kohe më vdiq nëna. Nuk ishte shumë e vjetër, por sëmundja e mori e nuk pyeti për moshë. Babai mbeti vetëm e unë nuk kisha si ta lija të jetonte i vetëm, kështu që i thash sime shoqe se do të ktheheshim të jetonim me babanë. Ajo u ngrys, kështu që i thash: “Unë për vete do të shkoj, ti bëj çfarë të duash. Po deshe hajde, po s’deshe rri këtu. Një javë kohë ke për t’u menduar”.
Ime grua bërtiste e shante
Ajo këtë herë e pa të arsyeshme të bënte atë që i thash unë dhe ne u kthyem në shtëpinë e babait. Barra e saj tashmë nuk ishte shumë e madhe. Dy fëmijët e mëdhenj ishin gjithë ditën në shkollë, kurse i vogli, në kopsht, mirëpo, si dukej, asaj iu bë si ves që gjithmonë të bërtiste e të shante në shtëpi. E njëjta gjë po ndodhte edhe në shtëpinë e babait. Ajo për një gjë të vogël acarohej e nuk fliste me mua për ditë të tëra. Babai ishte njeri i urtë dhe kur ajo ishte në “krizat e veta”, ikte te motra e tij.
– Po shkoj për darkë te motra… – më thoshte.
– Mirë, baba, shko – e me mendtë e mia thosha: “Ah, sikur të kisha edhe unë një vend ku të shkoja e të largohesha nga kjo shtrigë”.
Nganjëherë e merrja me të mirë dhe kalonim disa ditë mirë. Bëja çfarë më thoshte ajo e mendoja se ndryshoi, por seç dilte ndonjë gjë e ajo kthehej po aty ku ishte. Ndërkohë kisha filluar pijen dhe me të po e kaloja lehtësisht këtë lloj jete.
Pas 10 vjetësh, babai vdiq. Edhe sa ishte gjallë, ai nuk shkonte keq me të, “ia linte mbarë”, siç i thonë fjalës.
– E kam dashur shumë, më shumë se babanë tim. E di se jam e egër, por ai ishte i vetmi njeri që dinte t’më duronte e të më qetësonte. – më thoshte.
Në fakt, i shkreti ishte njeri i urtë dhe nuk ia prishte. “Është e egër, por ka zemër të mirë!”, më thoshte gjithmonë.
– Eh, ç’zemër të mirë ka baba? Ajo na i ka shkatërruar nervat! – i thosha.
– Duroje bir, se jeta është e gjatë e kur të bëhesh si unë do të kesh nevojë për të.
– E, çfarë do të bëj tjetër baba, veç ta duroj? Çfarë t’u bëj fëmijëve, përndryshe 10 minuta nuk rrija me të.
Erdhi një ditë që e hoqën nga puna dhe rifilloi me ato të vetat, mirëpo këtë radhë “na doli në shteg” vëllai i saj, i cili kishte kohë që jetonte në Gjermani.
– Eja këtu e të shohim se ç’mund të bëjmë. – i kishte thënë në telefon.
– Vëllai më tha të shkojmë në Gjermani se këtu tani është e vështirë të gjej punë në këtë moshë.
– Ti shko, je e lirë. Unë për vete nuk lëviz nga vendi. Shtëpi kam, punë po. Ti bëj çfarë të duash…
– Po nuk ke merak të shkoj pa ty?!
– Jo. E pse do të kem?
Unë, në fakt, kisha nevojë të rrija pak pa të. Edhe pse kisha një jetë me të, ajo tani ishte bërë e padurueshme.
Ajo shkoi në Gjermani e gjeti punë menjëherë. Gjeti edhe shtëpi e i mori edhe fëmijët. U rehatuan për bukuri.
– Eja edhe ti se jemi shumë mirë. – më thoshte në telefon.
– Ndoshta do të vij, – i thosha sa për të mbyllur bisedën.
Në fakt, kisha 6 muaj pa të dhe jeta më dukej si në përralla. Punoja e shkoja në shtëpi ku isha i qetë dhe nuk kisha njeri t’më acaronte. E vetmja gjë që më mundonte ishin punët e shtëpisë, por edhe këtë e kisha rregulluar. Një herë në javë më vinte një vajzë nga pallati tjetër e m’i bënte të gjitha punët. E paguaja për punën dhe shtëpia ndriste, edhe pse nuk ishte ajo gruaja ime e cila na acaronte sa herë i bënte punët.
Ajo ishte një vajzë nja 30 vjeçe, e urtë dhe ndryshe nga vajzat e tjera. Ajo familje sa kishte ardhur nga fshati dhe ajo vajzë ishte si vajzat e qëmotit, me zakone të rralla që vajzat e qytetit nuk i kanë. I bënte punët e shtëpisë sikur të ishte shtëpia e saj. Një ditë më kishte shkruar një letër ku më thoshte se e ëma më kishte ftuar në ditëlindjen e të vëllait. Ishte të mërkurën dhe unë duhej të blija ndonjë kostum, se ish-gruaja nuk më linte as të blija rroba të bukura, që t’i kursenim paratë. E bleva kostumin dhe shkova.
Nëna e saj po i bënte një festë të madhe djalit, sepse kishte tri vajza dhe atë djalë. Vajza që më shërbente mua ishte e madhja. Atë ditë kishte veshur një fustan të thjeshtë, por i rrinte mirë. Nuk e di pse disa herë sytë tanë u përpoqën, qëndruan ashtu të ngrirë pa u shkëputur.
– A do të vish të kërcejmë? – më tha kah mesi i ahengut.
– Sigurisht. – i thash pak i habitur se po e ndjeja që edhe ajo më shikonte me një sy tjetër.
– A je i kënaqur me punën që ta bëj? – më tha kur po kërcenim.
– Po. Je vajzë mjaft punëtore.
– I bëj më mirë se gruaja jote? – më pyeti.
– Pse po ma bën këtë pyetje? Ç’lidhje ka gruaja ime ty? – i thash me të drejtë.
– Më fal! Isha thjesht kurioze nëse je i kënaqur me mua se më kanë thënë se e ke pasur gruan shumë punëtore.
– E kam pasur? Po unë nuk jam ndarë prej saj.
– Oh, më fal, por të gjithë kështu thonë, se jeni ndarë.
– Mos u merr me fjalët e të tjerëve, ti nuk je vajzë dosido.
– Faleminderit që mendon mirë për mua.
Dhe, kërcimi mbaroi…
– Sa shkoni bashkë? – tha e ëma e saj.
– Si? – i thash.
– Ha-ha-ha, mos u tremb, ishte shaka. – ia priti menjëherë vajza. – Mami e ka zakon të bëjë shaka.
– Po ti, vetë thua se të pëlqen shumë, moj… Ç’shaka po bëj?
– Këtë nuk e dija, – thash i trullosur. Nga ana tjetër, vura re se vajza u largua me të shpejtë.
– I vjen turp të ta thotë. – po fliste përsëri e ëma. Ishte një grua që fliste shumë dhe sidomos atë ditë nuk po i pushonte goja. – Nuk e di edhe unë çfarë i ka shkrepur me ty. Ju keni edhe diferencë moshe.
– Ç’thua kështu, zonjë? Unë jam ende i martuar. E mora vajzën tënde të m’i bënte punët e shtëpisë e asgjë më tepër.
– Oh, por ajo kur flet na jep përshtypjen sikur ju jeni të lidhur. Ajo vetëm për ty flet. Prandaj, edhe të thirra…
– As që më ka shkuar në mendje kjo gjë! – i thash dhe ika i shokuar nga ato që dëgjova.
Deri të dielën nuk më hiqeshin nga mendja ato që ndodhën në ditëlindje. Kur ajo vinte të pastronte unë dilja me shokë, por atë ditë ajo erdhi më vonë.
– Më falni për vonesën. – tha me kokën ulur.
– S’ka gjë. Nuk është shumë pis e nuk ke shumë punë për të bërë, por para se të fillosh, eja ulu këtu e më trego se çfarë ishin ato që më tha mamaja jote.
– Nuk…- tha vetëm këtë fjalë.
– Nuk po të dalin fjalët tani, ë? Pse i ke thënë nënës tënde se ne jemi të lidhur? E di ti sa vjet jam më i vjetër se ti?
– Po, e di! – tha ajo.
– Po që jam i martuar e kam tre fëmijë?
– Që ke fëmijë po, por të gjithë thonë se je i ndarë.
Ajo po u përgjigjej pyetjeve të mia, por nuk e ngrinte kokën. Në momentin kur ajo ngriti sytë për një moment, seç më zuri e m’u dukën sytë më të bukur në botë. I largova sytë shpejt se e dija se po bëja gabim.
– Unë…unë… – filloi të qante. M’u dhimbs se më dukej sikur nga çasti në çast zemra po i dilte nga kraharori. Instinktivisht e afrova dhe e përqafova. Ndenjëm ashtu për pak minuta. Ishte një ndjesi e veçantë. Sa kohë kisha pa përqafuar një grua aq me dashuri?! Pastaj, ajo ngriti sytë e saj të mahnitshëm dhe unë nuk u përmbajta më dhe e putha. Ishte një puthje e zjarrtë dhe pas saj një tjetër dhe…
Nisa një jetë krejt të re…
Që nga ajo ditë unë po jetoj një jetë të re. Nga lidhja jonë sapo ka lindur një vajzë e bukur, sepse ka sytë e saj dhe ka lindur nga një dashuri e madhe që na lidh të dyve. Kur mori vesh që po bashkëjetoja, gruaja ime u mërzit e doli në telefon duke bërtitur, ashtu siç e kishte zakon ajo, por unë ia mbylla dhe u thash fëmijëve që t’i thonë të mos më telefonojë më. Mjaft kohë kisha harxhuar duke dëgjuar dokrrat e saj…M. T./Kosovarja/