Agim A. Hoxha
Një herë në vit, në një muaj të caktuar të vitit, në një ditë të javës, veçohet 8 Marsi për të folur, lavdëruar dhe për t’i dhuruar buqeta lulesh femrës. Por, shumë pak nga ne flasim për diskriminimin, të drejtat, meritat dhe kontributin e femrës shqiptare në të kaluarën, të tashmen, dhe se cila duhet të jetë vlera dhe roli i femrës në familje dhe në shoqëri në të ardhmen?! Ndoshta për dikë tema të tilla janë të konsumuara, por rezultati dhe pozita e femrës nuk ka ndryshuar për të mirë? Sot femrës i mohohet trashëgimia, ajo goditet dhe vritet në familje.
Për dikë mund të jetë temë e cila është paksa e ndjeshme dhe si e tillë duhet të diskutohet vetëm nga sociologet dhe psikologet? Mirëpo, një gjë duhet patur parasysh: ” Secili nga ne jemi përgjegjës për rolin e femrës në shoqërinë tonë dhe se duhet ngritur zërin aty ku është nevoja me qëllim që kjo padrejtesi ndaj saj mos të ndodhë në të ardhmën “.
Ne si shoqëri nuk duhet të qëndrojmë indiferent karshi këtij diskrimi dhe të presim vetëm nga organizatat e grave të luftojnë këtë diskriminim të cilin është duke iu bërë femrës. Para Zotit të gjithë jemi të barabartë dhe si të tillë duhet të vlerësohemi dhe gjykohemi edhe në shoqëri.
Diskriminimi si problem ekziston në çdo shoqeri, në trojet shqiptare është më i theksuar, diku më shumë e diku më pak si pasojë e zakoneve, kanuneve dhe mungesës së arsimimit dhe edukimit të njerëzve gjatë viteve. Zanafilla e diskriminimit gjinorë, përkatësisht femrës, burimin kryesorë e ka në familje. Fillon në ato familje ku lider i familjes cilësohet burri dhe jo të dy prinderit. Burri në familje shpeshherë për djalin është prind shembullor, gjenë kohë t’i bëjë dhurata, i dhuron të holla, në cdo ekskursion dhe organizim, bënë tolerime edhe nëse ai vonohet, ndërsa në anën tjetër ndaj vajzave sillet i pavëmendshem, indiferent dhe diskriminues. Gruaja, e zonja e shtëpise, në të tilla raste, megjithëse e sheh këtë diskriminim mes fëmijëve të saj, prapë ndihet e pafuqishme për të ndryshuar këtë gjendje. Mirëpo, barra e përgjegjësisë duhet t’i bie vëllezërve të këtyre motrave sepse nëse ata nuk fillojnë të ngrisin zërin e tyre duke u bërë pyetje prinderve: ” Përse neve na jepet gjithçka ndërsa motrave tona u mohohet gjithçka? ” atëherë ata tregohen shume egoist, dhe si të tillë janë bashkëpjesëmarrës në atë diskriminim dhe në atë padrejtësi!
Nëse i kthehemi të kaluarës sonë të pasur. Mijëra vite më parë, mbreteresha Teutë ishte vënë në krye të shtetit ilir. Ajo ishte një grua e zgjuar, e cila falë shkathtësive të saj arriti të reformoj popullin dhe shtetin duke e forcuar ushtarakisht dhe ekonomikisht. Si një lidere e vërtetë, ajo përmirësoi rendin shoqërorë, u kujdes të mos i cenoheshin kufinjtë shtetëror duke mos lënë që territoret ilire të copëtoheshin. Megjithëse sundimi i saj zgjati vetëm 3 vite, vepra dhe lavdia e kësaj gruaje njihet ndër shekuj.
Edhe sot, kontributi i femres shqiptare është i pamohueshëm sepse femra është shtylla e shoqërisë, ajo e ndihmon familjen e saj moralisht dhe materialisht. Është një nënë e devotshme, edukatorja dhe mësuesja e parë për fëmijët e saj. Falë ndjeshmërisë dhe dhembshurisë së saj, kontributi i saj është i pranishëm në të gjitha sferat e jetës.
Si të përmirësohet diskriminimi i femrës? Duhet tema të tilla të diskutohen përbrenda familjes, çdo problem sado i madhë të jetë kur diskutohet ai përgjysmohet, zvogelohet dhe zgjidhet. Prindërit kanë rolin kryesorë dhe duhet patur kujdes në çfarë forme i edukojnë fëmijët sepse nëse ata rriten dhe ushqehen me këtë diskriminim, në të ardhmen prindërve do t’i trokase mosha e pleqërisë dhe do të korrin atë edukatë diskriminuese që e kanë mbjellur tek femijët e tyre.
Një mashkull i edukuar mirë, di si ta respektojë nënën, motrën dhe vajzën e dikujt, qoftë në shkollë, në rrugë, në punë etj. Por si do të jetë halli i atij mashkulli nëse ai është edukuar në një familje ku femra vazhdimisht diskriminohet dhe nuk respektohet? Çfarë pasoja do të kishte shoqëria?
Si çdo vit edhe kësaj radhe do të shohim se si udheheqesit tanë respektin e femrës e bëjnë formalisht para mediave televizive ose brenda parlamentit duke iu dhuruar deputeteve femra lule… Respekti i femrës duhet të jetë gjithëpërfshirës.
Kaluan kaq shumë vite paslufte dhe ende nuk kemi të zgjidhura hallet dhe vuajtjet e gjithë atyre nënave të të pagjeturve, nuk u bisedua me palën serbe në Bruksel për ato 20.000 femra të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, drejtësia u vonua për to. Përkrahja institucionale, morale dhe njerëzore neglizhohet dhe ato jetojnë të lëna pas dore me plagët dhe traumat e luftës që ju shfaqen çdo ditë si një shirit filmi.
Se si çmohet dhe vleresohet femra sot, vlenë të përmendim Majlinda Kelmendin e cila solli një bagazh të madhë me medale të arta, me suksesin e saj ajo është duke dhënë kontributin e madh si një ambasadore e shtetit në përmirësimin e imazhit të shtetit tonë të brishtë e me plotë probleme, ajo asnjëherë nuk u prit në aeroport nga “ burreshtetasit “ tanë të cilët e flasin suksesin e saj vetëm kur duan të marrin meritat për vete kur flasin për qeverisjen e tyre.
Për fund, nëse femra është gjysma e shoqërise, atëherë të gjithë ne duhet të jemi të drejtë ndaj gjinise femërore, t’i duam, respektojme dhe çmojmë të gjitha nënat, bashkëshortet dhe motrat tona. Vetëm në këtë formë do të kemi një shoqëri të shëndoshë dhe një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur. Kjo do të ishte dhurata më e bukur e jetës për të gjitha femrat dhe se nuk do të përkufizohej respekti dhe mirënjohja ndaj tyre vetëm në një ditë të vitit.