Vuçiq në Kosovë në 20 ditët e ardhshme

E publikuar: 27/02/2016 21:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, brenda 20 ditëve të ardhshme do t’i vizitojë komunitetet serbe në Kosovë. Kështu ka deklaruar shefi i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në 20 ditët e ardhshme do t’i vizitojë komunitetet serbe në Kosovë e Metohi”, ka thënë Gjuriq, transmeton Koha.net.

Vuçiq, sipas mediave serbe, do të vizitojë komunitetin serb si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit, ku do të bisedojë me qytetarët.

Gjuriq ka shtuar se “situata në jug të Ibrit është komplekse dhe për këtë arsye është e domosdoshme mbështetja dhe solidarizimi me ta”.

Vizita e Vuçiqit ishte planifikuar për t’u realizuar nesër, por mediat në Serbi kanë raportuar se është anuluar për shkak të gjendjes së sigurisë në Kosovë.