Ndërkohë që miliarderi amerikan, Donald Trump, vazhdon marshimin e tij në garën për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka nisur kurioziteti se kush mund të jetë Zonja e Parë e SHBA.
Në rast se miliarderi do të zgjidhet, atëherë modelja sllovene Melania Trump do të jetë Zonja e Parë në SHBA.
Ajo ka postuar një seri fotosh online, që tregojnë jetën e saj luksoze në banesën e çiftit në katin e fundit të Trump Tower në Nju Jork.
Apartamenti është modeluar sipas modelit të Pallatit të Varsajës, mbushur me pasqyra, mermer, ar dhe diamante.
Natyrisht kjo nuk është e vetmja banesë e çiftit.
Ajo është 45 vjeç, 24 vjet më e re se ai.
E pyetur se çfarë e tërhoqi tek i shoqi, ajo e shmang ‘kurthin’: “Mendja, mendja e tij fantastike,” thotë me një theks europiano-lindor.
Emigrantja është gruaja e tretë e Trump dhe mund të bëhet Zonja e Parë e lindur jashtë vendit që prej vitit 1820.
“Nuk jam një njeri që thotë vetëm PO. I jap atij mendimet e mia. Ndonjëherë i ndjek këshillat e mia, ndonjëherë jo,” tha ajo për të shoqin.
“A biem dakord gjithmonë? Jo, dhe ia them atij këtë”.
Më tej mbron propozimet e të shoqit, si ai për të ndaluar myslimanët që të hyjnë në SHBA.
“Ai kërkon të mbrojë amerikanët. Ajo që po ndodh në botë është shumë e rrezikshme”.
Si emigrantë që është, thotë se nuk e ka menduar kurrë të qëndrojë ilegalisht në këtë vend.
Ajo ka rinovuar vizën e punës dhe shpreson të marrë Kartën Jeshile për qëndrim permanent.
Më pas ndoshta merr edhe nënshtetësinë.
Prioriteti i saj mbetet djali 9-vjeçar, Barron.
Ajo thotë se nuk ka një dado, edhe pse kanë një kuzhinier personal.
Ka qenë një rrugë e gjatë ajo nga Jugosllavia komuniste deri tek bashkëshortja e një prej njerëzve më të fuqishëm në botë.
Ajo u rrit në Sevnica, një qytet i qetë industrial në Slloveni.
Babai i saj ishte shitës makinash.
Familja ishte mjaftueshëm e pasur sa të shkonte për ski në Austri.
Shokët e fëmijërisë thonë se ajo ishte një vajzë e gjatë, e hollë, e sjellshme dhe e turpshme.
Ishte 17 vjeç kur një fotograf pikasi bukurinë e vajzës 1.80 metra të gjatë.
Kur ishte 18 vjeç nënshkroi një kontratë modelingu në Milano dhe nisi rrugën e modës.
Melani e ndryshoi mbiemrin nga Knavs në Knauss dhe u vendos në Nju Jork.
Thotë se flet pesë gjuhë të huaja.
Me Trump u takua në një mbrëmje mode. Ajo ishte 28 vjeç, ai 52 dhe sapo ishte ndarë nga gruaja e dytë.
Gruaja e parë e Trump, Ivana, është çeke. Duket se atij i pëlqejnë femrat europiano-lindore.
Me supermodelen sllovene u martua në vitin 2005, në një ceremoni që kushtoi 1 milionë dollarë.
Melania mbante veshur një fustan Dior 100 mijë dollarësh.
Djali i tyre, Barron, lindi një vit më vonë.
Trump ka edhe katër fëmijë të tjerë.