Haradinaj: Janë rrena paralajmërimet për rreziqe dhe konflikte fizike nesër

E publikuar: 25/02/2016 18:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Protesta gjithë popullore e opozitës do të fillojë nga ora 10:00, një orë para fillimit të seancës në të cilën pritet të zgjidhet Hashim Thaçi president. Në të njëjtën orë edhe strukturat e PDK’së kanë paralajmëruar festë në sheshet e Prishtinsës. Për këtë ka pasur shumë reagime se mund të ketë konflikte fizike mes simpatizantëve të PDK’së dhe atyre të opozitës. Mirëpo Ramush Haradinaj në konferencën për media ka thënë se paralajmërime për rreziqe dhe konflikte fizike janë rrena.
Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, në deklaratën e sotme para mediave dhe aktivistëve ka thënë se paralajmërimet se do të ketë konflikte fizike, rreziqe dhe festë janë rrena. Sipas tij kjo po bëhet për t’i penguar njerëzit të bashkohen në protestën e opozitës.

“Ata kanë paralajmëruar konflikte fizike- janë rrena. Kanë paralajmëruar rreziqe – janë rrena. Kanë paralajmëruar festë – është rrenë. Ata kanë qëllimin që t’i pengojnë njerëzit të vijnë në protestë, sepse nëse nuk ka protestues shpresojnë se do të duken më legjitim në parlament. Kuorumi në parlament është degraduar, tash ka mbetur populli kuorumi i vetëm legjitim.

Dalja nga kriza, janë zgjedhjet. Çfarëdo tentimi për të vazhduar me logjikën e këtij regjimi, çon në thellim të krizës, për çka përgjegjësia bie mbi Mustafën dhe Thaçin” , ka thënë Haradinaj.

Kurse lideri I VV’së, Visar Ymeri, ka thënë se Kuvendi dhe institucionet qendrore nuk e kanë legjitimitetin demokratik për çfarëdo vendimi, e aq më pak të zgjedhin Presidentin.

”Personi që e ka nënshkruar marrëveshjen për Demarkacion, dhe ai që e ka nisur marrëveshjen për “Zajednicën”, po shpreson që nesër të kurorëzohet në President të Republikës së Kosovës. Ne jemi kundër kësaj, dhe insistojmë që Qeveria të largohet në mënyrë që Kosova të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike, dhe që institucionet e Kosovës të bëhen institucione me legjitimitet demokratik. Ky Kuvend dhe këto institucione qendrore, as nuk kanë legjitimitet demokratik, e as nuk kanë legalitet politik për të marrë çfarëdo vendimi, e aq më pak të zgjedhin President”, ka thënë Ymeraj.

Për kryetarin e Nisma’s për Kosovën, Fatmir Limaj, protesta e nesërme do të dëshmojë se janë të bashkuar dhe do të vazhdojnë deri në largimin e Qeverisë.

“I ftoj të gjithë qytetarët që nesër në ora 10:00 të jenë në shesh bashkë me ne, për ta vazhduar kauzën tonë – largimin e këtij regjimi antikushtetues. Regjimet e tilla sikur ky, testojnë dhe provojnë popullin se sa është i qëndrueshëm. Nesër në sheshe të Prishtinës duhet të dëshmojmë se do të vazhdojmë të qëndrojmë deri në largimin e këtij regjimi”, ka thënë Limaj./Gazeta Express/