Delawie: S’kërkoj falje për deklaratat

E publikuar: 23/02/2016 10:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLSP) ka organizuar panel diskutues “Lufta kundër korrupsionit politik: Sfidat me funksion te reformave të ardhshme”.

Pjesëmarrës në panel janë ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe prokurorë e gjyqtarë të tjerë.

Ambasadori amerikan ka thënë se deklaratat e tij lidhur me veprimet e opozitës në Kuvendin e Kosovës vazhdojnë të mbeten bindje të tij, ndërsa ka theksuar se peticioni është e drejtë e secilit, por që ai nuk tërhiqet nga ato që ka thënë, njofton Klan Kosova.

“Janë disa persona që kanë shprehur disa mendime janë rreth 1300 persona që kanë nënshkruar një peticion”.

“Çdokush ka të drejtë të ngris peticione, është formë e demokracisë. Nuk kërkoj falje për deklarimet e mia, sepse dhuna dhe gazi lotsjellës në Parlament është i papranueshëm dhe po e dëmton Kosovën në arenën ndërkombëtare”.

Delawie, që është kritikuar se nuk flet për korrupsionin në Kosovë, ka thënë se ai ka kohë që e vë në pah ndikimin e kësaj dukurie negative në ecjen përpara të Kosovës.

“Të gjithë i dinë qëndrimet e mia dhe luftimi i korrupsionit është një nga qëllimet kryesore të mia, unë e di që korrupsioni është problemi madhor, gjymton moralin e qytetarëve, dëmton shtetin dhe gërryen të ardhmen dhe të tashmen e vendit”.

“Duhet t’i kërkojmë llogari shkelësve të ligjit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të punojnë me mund që ta ndalin këtë dukuri dhe t’i vendosin para ligjit, por për këtë duhet edhe ndihma e qytetarëve ata duhet t’i thonë mjaft! Gjithashtu në këso situata duhen dëshmi konkrete e jo vetëm thashetheme”.

“Persona me afera korruptive nuk kanë çfarë kërkojnë në institucione. Neve na nevojiten më shumë mundësi për t’i shkëmbyer idetë, por ato ide duhet t’i vëmë në praktikë”.