Vendet e Ballkanit po përballen me problemin e nacionalizmit në rritje, tha kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq në fjalimin e tij në Samitin e Investimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, tha se kriza e emigrantëve ka treguar se rajoni ka nevojë për bashkëpunim, por kriza ka ndikuar edhe në tensionet nacionaliste në Ballkan.
“Kriza po ndihet në të gjitha vendet. Vetëm ai që është politikisht i verbër mund të mbyllë sytë para kësaj”, tha Vuçiq, raporton Tanjug.
Vuçiq tha se Serbia dëshiron marrëdhëniet më të mira me njerëzit dhe kombet në Ballkan dhe pavarësisht nga fakti se sot ekzistojnë dyshime për të ardhmen e rajonit, ai është i bindur se duhet të ketë takime, “që të flasim, te respektojmë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë”.
Ai shtoi se ka ende shumë gjëra që duhen bërë në periudhën e ardhshme.
“Ne jetojmë në Ballkan dhe ne jemi krenarë që jemi këtu. Disa mund të duan të jenë jashtë Ballkanit, për ne është e parëndësishme, ne duam marrëdhënie më të mira të mundshme me të gjithë popujt dhe kombet në Ballkan”, tha Vuçiq.
“Evropa nuk është më një ëndërr e madhe siç ishte në të kaluarën”, pohoi Vuçiq, duke shtuar se Serbia është një vend që në dy vitet e fundit ka pasur investimet më të larta në rajon, edhe pse nuk ka pasur privatizime të mëdha”.
“Vitin e kaluar kemi pasur 1.7 miliardë euro investime të huaja direkte, që është një rezultat i mirë, por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Ne kemi nevojë për dy miliardë euro investime të huaja në mënyrë që të ketë një sistem të qëndrueshëm”, theksoi Vuçiq.