Drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, ka thënë sot se misioni evropian EULEX ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.
Ai ka thënë se për shtatë vjet ky mision ka marrë vetëm 47 vendime për këto dy dukuri. “EULEX-i nuk ka treguar sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për shtatë vjet i ka marrë vetëm 47 vendime apo gashtë raste brenda vitit”, ka deklaruar Zogaj, gjatë prezantimit të raportit me temën: “EULEX anti-korrupsioni dhe kufijtë e vlerësimit kuantitativ”.
Ndërkaq, Krenar Gashi, ka thënë se as EULEX-i nuk ka rezultuar të jetë më i mirë dhe më i suksesshëm se UNMIK-u.
Sipas tij, ky mision ka dështuar në Kosovë si dhe ka rritur mosbesimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. “EULEX-i ka dështuar në Kosovë. Prandaj, është e nevojshme që institucionet vendore të marrin situatën në dorën e tyre”, ka deklaruar Gashi.
Kurse sa i përket mundësisë së rikthimit të UNMIK-ut në Kosovë, ai ka thënë se kjo do të ishte gjeja më e keqe që mund t’i ndodhë vendit tonë.