Rrustem Mustafa: Nuk më pëlqyen arrestimet-Protestuesit le të kërkojnë përgjegjësi nga liderët e autoriteteve

E publikuar: 16/02/2016 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Rrustem Mustafa, ka vlerësuar se për të dalë nga kriza institucioanle që ka përfshirë vendin, qeveria e Kosovës duhet të reflektojë, bashkë me partitë opozitare.

Ai në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, ka thënë se mossqarimi i marrëveshjeve të Brukselit para qytetarëve, ka çuar deri te kriza institucionale.

Ndërsa, sa i takon protestës së nesërme, duke shpresuar se ajo do të jetë festive, Mustafa ka thënë se protestuesit duhet të kërkojnë demokraci dhe përgjegjësi nga liderët. Po ashtu, ka deklaruar se arrestimet e deputetëve e aktivistëve të tjerë të VV-së në prag të festës, nuk i kanë pëlqyer.

Mustafa tutje, ka folur edhe për çështjen e presidentit të ardhshëm, ku sipas tij, zëvendëskryeministri i tanishëm i Kosovës Hashim Thaçi, është personi adekuat për këtë post.

“Hashim Thaçi është Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, lideri ynë dhe padyshim është kandidati i duhur që të jetë në krye të piramidës shtetërore”, është shprehur ai për Gazetën Blic.

Kurse sa i takon zgjedhjes së presidentit pas 17 shkurtit, ish-deputeti i PDK-së ka thënë se duhet të respektohet afati kohor sipas kushtetutës, pasi që siç ai ka deklaruar, zgjedhja e të parit të shtetit nuk lidhet fare me këtë datë.

E krejt në fund, Mustafa ka shprehur mendimin e tij edhe për zgjedhjet e parakohshme.

 – Qeveria duhet të reflektojë shpejt!

Z.Mustafa, vendi qe disa muaj është në një krizë institucionale. Si e komentoni ju një gjendje të tillë dhe si mund të dilet nga kjo situatë?

Rrustem Mustafa: Qeveria duhet të reflektojë shpejt. Në rend të parë ta përmirësojë komunikimin me qytetarët! Me këtë rast, transparenca duhet ta mbizotërojë jotransparencën e deritanishme, nga e cila ka rezultuar një lloj  pasigurie e udhëheqësve të shtetit , me të cilën jemi ballafaquar kohëve të fundit.
Gjithsesi, nuk duhet të shfaqen dilema nga ne për gjëra që duhet t’i bëjmë mbi bazën e partneritetit me NATO-n dhe BE-në. Mungesa e aftësisë për t’i sqaruar mirë para qytetarëve tanë marrëveshjet ndërkombëtare; keqinterpretimet e qëllimshme dhe të paqëllimshme kanë prodhuar situatë krize. Është obligim i politikës sonë që qytetarët t’i njoftojë mirë për çdo gjë që ndodh dhe të heqë çdo dilemë të ngritur për çështje të caktuara. Neve na duhet t’i bindim ata se në asnjë rrethanë nuk mund të ketë “pazare” për dhënie të territorit-fqinjëve tanë; nuk mund të tolerohen projekte që çojnë në defunksionalizim të shtetit.  E kundërta kërkohet nga ne edhe prej miqve tanë, të cilët në një formë ose në një tjetër janë të përfshirë në proceset që zhvillohen në vendin tonë. Kërkohet funksionalizimi i kapaciteteve të plota shtetërore në funksion të rendit, ligjit, rregullit dhe mirëqenies së qytetarëve. Ne kemi nevojë për politika zhvillimore, jo për politika operacionale.

remi-nuk-heq-dor-euml-nga-mandati-i-humbur-i-deputetit_hd

– Secili duhet t’i  kryejë përgjegjësitë e veta ligjore dhe institucionale

Kush e mban fajin kryesor për këtë krizë që e ka përfshirë vendin, kur dihet se as pozita e as opozita nuk po lëshojnë pe?

Rrustem Mustafa:  Dua t’ua bëj me dije se kjo është përgjegjësi e madhe e politikbërsve tanë. VV-ja, e po ashtu edhe me disa parti të tjera opozitare, kanë pranuar përgjegjësinë për ngjarjet brenda Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe për protestat në rrugë duke përjashtuar incidentet e momenteve. Qeveria duhet ta pranojë përgjegjësinë e saj. Në asnjë rast, nga askush nuk duhet të relativizohet faji kur  jemi para momentit që duhet të reflektojmë pozitivisht dhe të gjejmë  mundësi më të mira  për drejtimin  e shtetit për qëllime zhvillimore. Ne nuk guxojmë të humbin kohë duke kërkuar fajin për secilën pikë për mekanizmat shtetërorë. Por, secili veçmas duhet t’i  kryejë përgjegjësitë e veta ligjore dhe institucionale.

– Protestuesit le të kërkojnë përgjegjësi për keqpërdoruesit e autoriteteve

GazetaBlic: Ditën e nesërme pritet të mbahet protesta e ardhshme- e thirrur nga partitë opozitare. Si e vlerësoni ju këtë përzgjedhje të tyre, për t’i mbajtur protestat pikërisht në ditë festash?

Rrustem Mustafa: Meqenëse jemi në prag të festës, së pari dua t’ua uroj gjithë qytetarëve dhe protestuesve 17 shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke shpresuar dhe uruar njëkohësisht që protesta vërtet të jetë festive dhe e qytetëruar. Protestuesit le të kërkojnë transparencë, komunikim, demokraci dhe përgjegjësi nga liderët e autoriteteve.

Çfarë do të sjellë kjo protestë? A do të ketë ndonjë efekt më të dukshëm, në krahasim me protestat e mëparshme?

Rrustem Mustafa: Duke qenë ne ata të cilët duhet të jemi të përkushtuar për të mirën e vendit tonë, sot, ne duhet të jemi përgjegjës për zhvillimin, për jetën e qytetarëve, për shtetndërtimin dhe ecjen e mbarë të vendit tonë. Ne jemi ata të cilët na zgjodhën qytetarët për ta përmirësuar mirëqenien e tyre, edukimin, rendin dhe ligjin, për ta ndërtuar një shtet për të gjithë me perspektivë evropiane. Ne jemi ata që duhet të dëshmojmë se jemi kundër autoritarizmit, centralizimit në vendimmarrje, korrupsionit, nepotizmit dhe keqpërdorimeve të tjera të autoriteteve zyrtare dhe kombëtare. Mirëpo, këtë gjithmonë duhet ta bëjmë përmes institucioneve. Ne jemi ata të cilët do ta kthejmë besimin e qytetarëve në politikbërjen e shtetit. Ndërsa, qytetarët duhet ta dëshmojnë përkrahjen e tyre në luftën kundër këtyre dukurive, duke protestuar në formë të qytetëruar. Kështu, së bashku të gjithë neve na takon që të përkushtohemi për të mirën e vendit tonë. Unë jam i sigurt se së bashku mundemi.

Policia e Kosovës dje arrestoi zëdhënësin e VV-së, kurse sot një deputet të kësaj partie. Pse vetëm pak ditë  para protestës këto arrestime?

– Unë besoj në profesionalizmin që ka bërë policia

Rrustem Mustafa: Nuk jam i informuar për arsyen e arrestimit dhe nuk e di. Megjithatë, arrestimet nuk më pëlqyen në prag feste.

A po vepron si duhet policia e Kosovës me të tilla aksione apo jo? (Pse)?

Rrustem Mustafa:  Unë besoj në profesionalizmin dhe punën e mirë që është duke bërë Policia e Kosovës. Ajo është duke respektuar dhe zbatuar urdhrat e politikës së shtetit, pasi që detyra e saj është për ruajtjen e rendit dhe ligjit, ku ne si qytetarë duhet ta respektojmë policinë e shtetit si dhe duhet të ju besojmë atyre.

Opozita ka paralajmëruar edhe bllokimin e seancave të radhës, rrjedhimisht edhe atë kur pritet që Hashim Thaçi të votohet për president. Si do zhvillohet kjo seancë sipas juve?

Rrustem Mustafa: Pozita dhe opozita në bashkëpunim të mirë politik, duhet të jenë vetëm me qasje kredibile dhe garanca të veprimeve kohore deri në zgjedhjet e ardhshme. Unë nuk dua ta parashikoj këtë proces, por jam i sigurt se rrugë kemi dhe do t’i përdorim të gjitha potencialet për të shkuar drejt zhvillimit që të krijojmë atmosferën, ku të gjithë do të japim kontributin tonë dhe me qetësi të marrim modelet e duhura nga vendet që tani kanë krijuar stabilitet të qëndrueshëm në siguri, ekonomi dhe edukim për shtetasit e vet.

– Thaçi, personi adekuat për president

A është Hashim Thaçi kandidati i duhur për president dhe a do të arrijë t’i marrë votat e mjaftueshme për këtë post?

Rrustem Mustafa: Hashim Thaçi është kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, lideri ynë dhe padyshim është kandidati i duhur që të jetë në krye të piramidës shtetërore.

Gjatë këtyre ditëve pati raportime se zgjedhja e presidentit mund të bëhet para 17 shkurtit. Ndërsa, Hashim Thaçi tha se kjo do të ndodhë tek pas 17-it. Pse mendoni se erdhi deri te kjo shtyrje?

Rrustem Mustafa: Ky proces do të përmbyllet brenda afatit kohor dhe me procedura të rregullta. Asgjë e kësaj çështjeje nuk lidhet dhe nuk duhet të lidhet me datën 17 shkurt.  Unë besoj se do të përfundojë brenda afatit kohor të përcaktuar me kushtetutë.

Po flitet se vendi ka gjasa të mëdha që të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kur mendoni se do të ndodhë kjo?

Rrustem Mustafa: Unë e thashë edhe më herët, se pozita dhe opozita me bashkëpunim të mirë politik dhe përgjegjësitë përkatëse institucionale që kanë, duhet të kenë qasje kredibile ndaj të gjitha çështjeve e sidomos ndaj atyre që kanë një shkallë më të madhe ndjeshmërie. Kjo mund të bëhet me rritjen apo çfarëdo ndryshimi të konfiguracionit të koalicionit ekzistues ose me shpalljen e moratoriumit politik me një qeverisje teknike deri në verën e vitit 2017. Ky do të jetë çmimi për  normalizimin e shtetit. Ne duhet të jemi të gatshëm ta bëjmë këtë normalizim dhe në këtë mënyrë të ecim në rrugën e duhur dhe të mbarë të vendit tonë.

/GazetaBlic.com/