Me rastin e Ditës së Internetit të Sigurt, sot me 9 shkurt Komiteti Kosovar për shënimin e kësaj dite, KKDIS, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizuan një konferencë gjysmë-ditore që u mbajt në MASHT, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.
Qëllimi i konferencës ishte të mblidhen akterët me rëndësi në fushën e sigurisë në internet për të prezantuar punën e tyre, si dhe për të diskutuar bashkërisht në mënyrë që të nxirren rekomandime për hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen.
Pas fjalës hyrëse nga zv,Ministrja Anila Statovci Demaj dhe organizatorëve tjerë të ngjarjes, pati prezantime nga Ministria e Arsimit, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Shërbimi Policor i Kosovës, Telekomi i Kosovës, Qendra për studime të avancuara FIT, dhe Qendra për Arsim e Kosovës. Pas prezantimeve, të pranishmit u ndanë në tri grupe punuese për të diskutuar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të përmirësuar situatën e sigurisë në hapësirën publike digjitale.
Fëmijët ambasadorë të internetit të sigurt që ishin pjesëmarrës në konferencë dhanë kontributin e tyre gjatë punës në grupe dhe në fund të konferencës ishin ata që prezantuan rekomandimet për institucionet përgjegjëse.
Përveç konferencës, Qendra për studime të avancuara FIT në bashkëpunim me Save the Children shënoi këtë ditë edhe me aktivitete tjera që në qendër kishin fëmijët. Në mesditë organizata mbajti një ngjarje vetëdijësuese në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, ku “Doktori i Teknologjisë” i ekzaminoi fëmijët kalimtarë duke u bërë pyetje për përdorimin e pajisjeve elektronike dhe në bazë të përgjigjeve të tyre u dha këshilla për të shtuar kujdesin dhe përgjegjësinë gjatë kohës që e kalojnë nëpër rrjetet sociale. Po ashtu, fëmijëve dhe prindërve u shpërndanë materiale edukuese, udhëzues e broshura për përdorimin e sigurt të internetit.
Fëmijët ambasadorë të internetit të sigurt morën pjesë në aktivitetet e mbajtura me rastin e kësaj dite duke shpërndarë punimet e tyre dhe TV animacionin e përgatitur nga Qendra FIT në bashkëpunim me Save the Children në Kosovë nëpër rrjete sociale, si pjesë e fushatës globale për këtë ditë, Safer Internet Day.