Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, duke folur për vrasjen e Egzon Mazrekut nga Sopija e Suharekës, tha se policia vendosi të publikojë fotografitë e personave që janë të dyshuar për këtë rast, sepse u duhet edhe ndihma e qytetarëve për t’i gjetur ata, ndërsa shtoi se personat e kërkuar janë shumë të rrezikshëm.
“E kemi ndie si obligim edhe ndaj qytetarëve dhe ndaj shtetit, të publikojmë fotografitë e të dyshuarve e që duhet patjetër ndihma e qytetarëve si nga regjioni i Prizrenit ashtu edhe në të tjera, te bashkëpunojnë me ne”, ka thënë Hoxha në emisionin Ora e Fundit të Klan Kosovës.
“Kemi informata që personat që janë duke u kërkuar kanë kryer edhe vepra të tjera të rënda. Por, personi që ka kryer vrasjen në Sopijë, kemi informacione që ka qenë i kërkuar nga Policia edhe më herët’’, tha kryeprokurori Hoxha.
“Kërkoi nga të gjithë qytetarët nëse dinë për vendndodhjen e tyre të na ndihmojnë, e të mos fshehin në lidhje me raste të tilla sepse edhe ajo është vepër penale”.
“Hetuesit janë duke punuar në këtë drejtim, ata kanë bërë punë të mirë profesionale deri më tani”, ka thënë Hoxha.