Dy gjeografët që po e kundërshtojnë demarkacionin me Malin e Zi, Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi, duke u thirrur në punimin e tyre shkencor “Demarkacioni Kosovë-Mali i Zi”, Gusht 2015, në punimet e tjera të tyre ishin mbështetur në harta që e konfirmojnë vijën e tashme të demarkacionit me këtë shtet fqinj.
Në publikimin e tyre të fundit, i cili ishte financuar nga ‘Friedrich Ebert Stiftung’, koordinatore e të cilit është Besa Luzha, një përkrahëse e hapur e opozitës, ata përdorin një hartë tjetër, kurse në punimet e mëhershme kishin përdorur hartat e njëjta, të cilat janë në përputhshmëri të plotë me hartat e Murat Mehës, kryetarit të Komisionit shtetëror për demarkacionin.
Florim Isufi së bashku me Shpejtim Bulliqin kanë kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi, përmes një harte të vizatuar ushtarake, e cila është bërë pa matje dhe gjendet në Enciklopedinë “Vojna Enciklopedija” e autorit Jakac Lafet, botimi i katërt.
Mirëpo, në punimet e ndryshme të tyre shkencore, Isufi dhe Bulliqi, nuk e kanë përdorur këtë hartë për të pasqyruar territorin e Kosovës. Në vend të saj kanë përdorur harta që reflektojnë qind për qind vijën e tashme kufitare të demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Madje, harta e krijuar nga Isufi është përdorur edhe në punimin “Endemie, steno-endemic and relict plants in serpentines of Kosova” të autoreve Fadil Millaku, Paul Heise lmayer, Ferat Rexhepi, Elez Krasniqi, Christian Eichberger & Agim Haziri, transmeton Republika.info.
Harta të njëjta, gjeografi Isufi ka përdorur edhe në punimin tjetër me titull “European Forum for Geostatistics, 5 – 7 October 2009, in The Hague, Netherlands Session 1: Small area statistics. GRID Map of Household and Population data in Kosovo Rrahman TARA1, Florim ISUFI2 Idriz SHALA³”.
Hartën e njëjtë, dy kundërshtuesit e tashëm të demarkacionit, Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi, e kanë përdorur edhe në një punim të përbashkët me titullin “The relief formed by the descent phenomenon in the north-east part of Kosova”. Në këtë punim Isufi dhe Bulliqi kanë paraqitur hartën me kufijtë e tashëm të demarkacionit, por jo edhe hartën në të cilën po thirren derisa po e kundërshtojnë demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.
Ndryshe, janë mbi 30 harta jugosllave dhe ndërkombëtare që konfirmojnë vijën e njëjtë kufitare, të vendosur me marrëveshjen ndërshtetërore të Kosovës me Malin e Zi. /Republika.info/