Që Shqipëria të ecë përpara

E publikuar: 22/12/2015 20:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Harry Bajraktari
Janë të rralla fjalimet që bëjnë kaq shumë përshtypje e diskutohen kaq shumë në opinionin publik shqiptar sa ai i mbajtur nga Ambasadori Donald Lu në Këshillin Kombëtar Juridik javën e kaluar.
Arsyeja e popullaritetit është e qartë: Shqiptarët janë lodhur nga korrupsioni, një sëmundjeje të cilës klasa politike shqiptare nuk po arrin apo nuk dëshiron t’i gjejë shërim. Sikur të mos mjaftonte kjo, tani ka dalë se një numër politikanësh kanë një të kaluar kriminale. Mirëpo, askund nuk është më shkatërrues korrupsioni sesa kur përfshin sitemin e drejtësisë. Vetë demokracia, begatia ekonomike dhe normaliteti i jetës së përditshme vihen në rrezik.
Ambasasori foli në emër të qeverisë amerikane, po kur e lexon fjalimin e tij, të duket sikur po flet edhe në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan këtu në SHBA. Shqetësimi i tij është edhe shqetësimi ynë.
Çfarëdo që ndodh në Shqipëri ndikon drejtpërdrejt në jetën e shqiptaro-amerikanëve, të cilët mbeten të lidhur ngushtë me atdheun dhe ndjekin me interes dhe me zemër në dorë ngjarjet në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë në Ballkan.
Rreth 100 vjet më parë, shqiptarët e Amerikës luajtën një rol kyç në sigurimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe në njohjen ndërkombëtare të saj, po ashtu si kanë vepruar më së fundi me pavarësinë e Kosovës. Për më shumë se një shekull, ne bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë amerikane, për siguruar që shqiptarët të jetojnë në një Ballkan paqësor, demokratik e të begatë. Po asnjëherë nuk kemi qenë më afër Shqipërisë sesa sot. Ndaj është e natyrshme që korrupsioni, si në qeveri ashtu edhe në drejtësi dhe pasojat e tij në pushtetin e ligjit janë një shqetësim i madh për ne. Shumë shqiptaro-amerikanë kanë investuar në Shqipëri, apo duan të sjellin investime të reja, si pronarë biznesesh apo si drejtues ekzekutivë në kompani amerikane. Nga ana tjetër, shqiptaro-amerikanët kanë prona në Shqipëri, apo janë turistë dhe vizitorë të rregullt, si dhe sponsorizojnë nisma humanitare, kulturore e historike.
Pak ditë më parë, Shqipëria festoi 25-vjetorin e vendosjes së pluralizmit demokratik, po nëse ka një mësim që kemi marrë gjatë këtij çerekshekulli është se nuk mund të ketë një demokratizim thelbësor të vendit pa pushtetin e ligjit, pa një gjyqësor të pavarur prej partive politike dhe qeverisë, të pakoruptueshëm prej bizneseve të dyshimta dhe që nuk trembet nga krimi.
Këtu në Shtetet e Bashkuara, një nga shtyllat e demokracisë sonë është sistemi i kontrollit dhe drejtpeshimit. Por, në Shqipëri, parlamenti i nështrohet qeverisë së radhës ndërsa gjyqësori është thellësisht i korruptuar dhe i ndikuar nga politika. Kjo e fundit ndodh jo sepse shqiptarët janë më të korruptueshëm se amerikanët, por sepse Shqipëria vuan nga probleme sistemike të thella në gjyqësor dhe në pushtetin e ligjit, me një klimë tolerance ndaj abuzuesve dhe korrupsionit, një traditë mosndëshkimi e cila dekurajon dhe kërcënon gjykatësit e ndershëm dhe profesionistë.
Prandaj e falenderoj dhe çmoj Ambasadorin Lu që mori nismën për ta prekur këtë problem. Nuk pres që të ndryshojë gjendja brenda ditës, por kjo reformë juridike e promovuar edhe nga fjalimi i ambasadorit është hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Nga njëherë shkundja prej plogështisë vjen më lehtë nga jashtë, qoftë nëpërmjet fjalës së një ambasadori, apo kërkesës së një organizmi të madh e pozitiv si Bashkimi Europian dhe ka fuqinë të frymëzojë një transformim.
Është me rëndësi jetike që të gjitha partitë politike në Shqipëri ta mbështesin këtë reformë, e cila mund të krijojë klimën dhe hapësirën e nevojshme për të luftuar dhe rezistuar korupsionin në sistemin juridik dhe të ndihmojë Shqipërinë që të integrohet në BE. Të gjithë duhet të bashkëpunojnë për çështje të tilla të mëdha, përfshi edhe shqiptaro-amerikanët. Jo thjesht për të kënaqur një ambasador apo se pse e kërkon Bashkimi Europian, por në radhë të parë për veten tonë. Duhet ta bëjmë sepse është e domosdoshme për të ardhmen e Shqipërisë. Ka ardhur koha që Shqipëria të ecë përpara.
Pa këtë reformë, shumë arritje demokratike të Shqipërisë mund të rrokullisen mbrapsh. Pa një gjyqësor të pavarur dhe pa pushtetin e ligjit, ekonomia gjithmonë do të çalojë, krimi nuk do të luftohet dot, dhe rendi publik nuk ka garanci. Pasuritë dhe pronat fizike e intelektuale do të mbeten të kërcënuara. Vetë dinjiteti i jetës vihet në pikëpyetje. Shqiptarët kanë vuajtur mjatf tashmë dhe meritojnë një të ardhme tjetër,
Për tepër, me shembullin e saj, Shqipëria mund të bëhet frymëzim për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo në rajon që të ngrihen edhe ata për të përmirësuar sistemin juridik dhe pushtetin e ligjit aty ku jetojnë. Të gjithë Ballkanit do t’i vlente një shembull i ri pozitiv.
Ndaj, ashtu si Ambasadori Lu, u bëj thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe jopolitikë në Shqipëri, që ta mbështesin këtë hap të rëndësishëm dhe historik drejt një të ardhme më të mirë për vendin. Mbështeteni reformën juridike! Përkraheni pushtetin e ligjit, përkrahni ata që luftojnë për ndryshime, përkrahni dekriminalizimin e politikës dhe spastrimin e sistemit nga gjykatës e punonjës të korruptuar.
Ambasadori Lu kishte një mesazh të veçantë për gjykatësit e ndershëm që duan të përqafojnë ndryshimin: Kini besim! Ndryshimi po vjen!
Kjo notë optimiste duhet të karakterizojë të gjithë ata që e duan Shqipërinë. Prandaj marr zemër kur shikoj se si kanë reaguar njerëzit në rrjetet sociale dhe mbështetjen e gjerë që ka dëshira për ndryshim. Ashtu si në betejat e kaluara shqiptarët e Amerikës janë me ju, me mendje dhe me zemër.

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria” në New York. Për kontributin e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, është vlerësuar me Dekoratën “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë.