Vetëm pak muaj pas transferimit në Zvicër te Lucerna, Migjen Basha nuk e fsheh dëshirën për t’u kthyer në Serinë A. Ish-mesfushori i Torinos, në një intrevistë për mediat italiane e pranon se ka një ndryshim shumë të madh mes futbollit të Gadishullit Apenin dhe atij zvicëran, ndaj synimi i tij është të luaj në një kampionat më cilësor, pse jo të rikthehet në Itali.
“Italia më mungon, madje shumë. Ndihesha mirë atje. Do të gënjeja po të thosha të kundërtën. S’do ta harroj kurrë eksperiencën që kam kaluar në Itali. Nuk dua të qëndroj në Zvicër, synimi im është të luaj në nivelet më të larta të futbollit. S’do të ishte keq nëse provoj një tjetër eksperiencë në Itali, madje do të isha shumë i lumtur nëse kthehem në këtë vend. Isha mësuar me kampionatin italian, ku i kushtonin më shumë rëndësi taktikës. Këtu, në Zvicër, secili vrapon për llogari të tij dhe nuk punohet me detajet.”
28-vjecari foli edhe për kualifikimin historik të Shqipërisë në finalet e Europianit, duke u shprehur se kuqezinjtë nuk do të kenë asgjë për të humbur në turneun që do të zhvillhet verën e ardhshme në Francë.
“Më këtë kualifikim kemi bërë një mrekulli, që do të mbetet në histori. Nuk e di deri ku mund të arijmë, por ne do ta provojmë, nuk kemi asgjë për të humbur. Nuk do të kemi presion për sa u përket rezultateve që do të arrijmë, populli ynë do të jetë krenar cfarëdo që do të ndodhë në Francë.”
I pyetur për kundërshtarët që do të dëshironte të kishte në grup, Basha tha se nuk kishte ndonjë preferencë të vecantë.
Cfarëdo ekipi që do të kemi në grup për ne do të jetë një emocion i vecantë, sepse do të luajmë kundër kombëtareve të një niveli shumë të lartë.