“Lirohen” nga Kombëtarja: Hysaj kthehet te Napoli, Memushaj titullar me Pescarën

E publikuar: 15/11/2015 17:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Elseid Hysaj dhe Ledian Memushaj janë dy lojtarët që do të mungojnë në miqësoren ndaj Gjeorgjisë. Trajneri Gianni De Biasi vendosi ti lëjë pushim, duke u dhënë leje të kthehen në Itali.

Për Hysajn bëhet fjalë për një mundësi që të rikuperojë forcat, për të vijuar paraqitjet fantastike me Napolin në Serinë A. Edhe pse ndeshja e radhës luhet të dielën më datë 22 në fushën e Hellas Veronan, mbrojtësi do të paraqitet menjëherë nën urdhërat e teknikut Sarri.

Elseid Hysaj është një prej lojtarëve të paktë të Napoli, së bashku me portierin Reina, Higuain, Hamsik, Albiol apo Callejon e Insigne, që nuk kanë munguar në asnjë ndeshje të kampionatit.

Kuqeziu numëron 12 ndeshje si titullar në po kaq javë të Serisë A, ku është zëvendësuar vetëm në një rast, në minutat e fundit të sfidës me Sampdorian.

Përsa i takon Memushajt, largimi nga grumbullimi i Kombëtares lidhet me kërkesën e trajnerit të Pescarës, Massimo Oddo, që ta kishte mesfushorin në dispozicion për sfidën e luajtur të dielën në Serinë B.

Memushaj u kthye në Itali dhe u aktivizua titullar, duke ndihmuar skuadrën të fitonte 2-0 në fushën e Comos. Rezultat mjaft i rëndësishëm pas dy humbjeve radhazi me Novarën dhe Ternanën.

Me këtë sukses, Pescara ruan vendin e gjashtë në renditje dhe pozicionimin në zonën play off me 21 pikë në 13 javë, 8 pikë më pak se Cagliari kryesues.