Serie A, Roma fiton derbin, Kondogbia nderon Interin

E publikuar: 08/11/2015 17:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nuk ka hapa falsë në Serie A, ku skuadrat pretendente për titullin kampion gjejnë fitore të rëndësishme në ndeshjet e Javës së 12 të Serie A. Derbi i Romës shkoi për verdhekuqtë e Rudi Garcias që nuk kursyen asgjë në “Olimpico” për të kaluar 2-0 Lazion në një 90 minutësh të shoqëruar me tension dhe me një numër të vogël tifozësh në stadium për shkak të protestës së mbështetësve të të dyja skuadrave. Serinë e golave e hapi Edin Dzeko në minutën e 10 me një 11 metërsh të ekzekutuar saktësisht. Boshnjaku frymëzoi skuadrën e Garcias pasi shtyu gazin në maksimum duke u bërë rreziku kryesor në portën e bardhkaltërve, ndërsa në krahun tjetër Lazio regjistroi vetëm një rast të rrezikshëm në pjesën e parë me një goditje të Anderson që u ndal në tranversë.

Roma nuk e uli ritmin as në pjesën e dytë kur në të 63-ën Gervinho nuk e fali Marchettin pas një kundërsulmi të shpejtë. Kaq mjaftoi që Roma të arrinte tre pikëshin që e mban të ngjitur në vendin e dytë me vetëm një pikë më pak se INteri që arriti të fitonte në Torino me një gol të francezit Kondogbia. Mesfushori i blerë këtë verë nga Monaco gjeti rrjetën e parë pesonale në kampionat që mjaftoi për ta ngjitur Interin në kuotën e 27 pikëve në vendin e parë të klasifikimit.

Fitore të vuajtur arriti edhe Juventusi në Empoli ku e pa veten në disavantazh. Macarone shkaktoi panik për bardhezinjtë me një gol në min. 19 por Mandzukic dhe Evra menduan për skuadrën e Allegrit që e mbylli pjesën e parë në avantazh dhe vendosi fitoren në kasafortë me golin e Dybalas 6 minuta nga fundi. Juventusi ngjitet në vendin e 7 me 18 pikë, duke dhënë sinjale se janë edhe kampionët në garën për titullin kampion. Në Reggio Emilia, Sassuolo kaloi Carpin 1-0, Frosinone barazoi 2-2 me Genoan ndërsa Palermo u mjaftua me një gol për të fituar ndaj Chievos.