Besnik Berisha: Opozita s’do ta pranojë vendimin e Kushtetueses

E publikuar: 05/11/2015 21:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Besnik Berisha, këshilltari për çështje ligjore i kryeministrit Isa Mustafa, në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se një pjesë e opozitës tashmë është deklaruar haptazi se s’do ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në favor të marrëveshjes për Themelimin e Asociacionit të Komunave serbe.
“Marrëveshja në tërësi përfshinë edhe statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, dhe nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo nuk është në shpërputhje me organin më të lartë ligjor në vend, qeveria do të procedojë tutje”.
“Presidentja është një ndërmjetësuese e mirë në një situatë jo fort të lakmueshme politike në të cilën ndodhemi”.
“Opozita qysh tani ka paralajmëruar se edhe nëse Gjykata Kushtetuese gjykon se marrëveshja nuk e cenon kushtetutën, ata s’do ta pranojnë. Opozita apriori po e konteston rezultatin e mundshëm”, ka thënë Berisha.
Presidentja Atifete Jahjaga i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për t’i marrë mendim lidhur me përputhjen e përmbajtjes së marrëveshjes me dy kapituj të Kushtetutës së Kosovës (Kapitullin II dhe III), vendim ky i cili është i paraparë të merret pas 2 muajsh që nga data e dorëzimit.