Avdijaj i shënon Baselit, Gashi drejt largimit nga kampionët e Zvicrës

E publikuar: 01/11/2015 14:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gol ndaj kryesuesve dhe njëkohësisht kampionëve në fuqi. Për sulmuesin e kombëtares Shpresa të Shqipërisë Albion Avdijaj rrjeta e parë me fanellën e Vaduzit në Superligën zvicerane erdhi pikërisht në një ndeshje ndaj Baselit, skuadër tek e cila luajnë 4 futbollistë shqiptarë. Gjithsesi goli i talentit shqiptar nuk i vlejti për të marrë pikë skuadrës nga Lihtenshtejni sepse Baseli arriti ta fitonte ndeshjen me shifrat 1-2. Vetëm 2 minuta i mjaftuan Avdijajt për të kaluar në epërsi Vaduzin. 21-vjecari përfitoi një harkim perfekt në zonë i Kukuruzovic, duke mposhtur portierin e miqëve Vaclik. Te Baseli ndeshjen si titullar nga 4 futbollistët shqiptarë që bëjnë pjesë në këtë skuadër e nisi vetëm Taulant Xhaka. Formacioni i trajnerit Urs Fischer barazoi shifrat vetëm 4 minuta më pas me islandezin Bjarnarson, ndërsa Xhaka me një aksion personal për pak sa nuk i dha avantazhin kampionëve të Zvicrës në minutat e fundit të pjesës së parë.

Në minutën e 61-të trajneri Fischer hodhi në fushë një tjetër futbollist të kombëtares kuqezi pikërisht Naser Alijin i cili rezultoi përcaktues për Baselin në këtë takim pasi dha asistin në golin e fitores 1-2 të realizuar nga austriaku Mark Janko në minutën e 80-të. Në përfundim të ndeshjes Albion Avdijaj në prononcimin për mediat u shfaq i kënaqur por golin e tij të parë me fanellën e Vaduzit, edhe pse shtoi se do ta kishte ndërruar rrjetën e tij me një rezultat pozitiv të skuadrës. Për tu përmendur fakti që Shkëlzen Gashi dhe Albian Ajeti dy shqiptarët e tjerë që janë pjesë e Baselit nuk ishin as në stol në këtë sfidë. Nëse për Ajetin kjo është dicka e pranueshme pasi ende një lojtar shumë i ri në moshë nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Gashin. Ky i fundit edhe pse shkëlqeu me një tregolësh në mesjavë në Kupën e Zvicrës vazhdon të mos preferohet nga trajneri Urs Fischer. Në këtë mënyrë largimi i 27-vjecarit nga Baseli në merkaton e Janarit është i pashmangshëm. Sipas mediave zvicerane përvec disa klubeve të njohura të Serisë A italiane dhe Bundesligës gjermane për Gashin po shfaq interes edhe skuadra e Sionit. Ekipi i Superligës zvicerane që luan edhe në Europa League do të bëjë gjithcka për ta afruar në skuadër golashënuesin më të mirë të dy sezoneve të fundit të futbollit helvet, edhe dëshira e Gashit është për një eksperiencë të re në një kampionat më të njohur./ss/