Kosova po fiton në imazhin e saj të një qytetarie të mirëfillët, më të zgjuar dhe më të pjekur demokratikisht

E publikuar: 16/10/2015 00:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Labinot Gjini

I kuptoj disa që merakosen për imazhin e Kosovës para botës perendimore me këto skenat “jo civilizuese” që po ndodhin në Kuvendin e Republikës tonë. Kjo brengosje vjen sigurisht nga njerëz të cilët botën perendimore e njohin nga një distancë e konsiderueshëme nga fakti i të mos qenurit kurrë jashtë ose nga të qenurit jashtë vetem fizikisht. Mirëpo, në të vërtetë, një qytetarit të rëndomt evropian apo amerikan, skenat që po ndodhin këto ditë në Kosovë nuk i bëjn shumë përshtypje sepse ai është rritur duke parë të tilla. Përkundrazi, skena të tilla e bëjn të kuptoj se diçka e jashtzakonshëme qenka duke ndodhur në Kosovë që paska çuar që të ketë veprime të jashtzakonshëme atje. Dhe, nga kjo, kurioziteti i tij e shtynë të njoh dhe të kuptoj më mirë Kosovën në mënyrë të përgjithshëme dhe, gjendjen e saj aktuale, në mënyrë të veçant. Këto skena po j’a mundësojn, pra, Kosovës që të jetë në faqe të para të mediave të huaja dhe të ribëhet pjesë e vëmendjës së popujëve perendimor.

Kurse, për sa u përketë militantëve politikë, studentëve, politikanëve, intelektualëve këto skena nuk janë asesi skena “jo civilizuese” siç mund t’ju duken disa naivëve në vendin tonë. Përkundrazi, ata do t’i quanin skena shumë domethënëse që tregojn për një gjendje reale të Kosovës, në të cilën populli i saj është zhveshur nga një pushtet kuisling sa i Serbisë sa i ndërkombëtarëve dhe të cilit nuk i ka mbetur asnjë alternativë tjetër “normale” për t’a shprehur vullnetin e tij. Dhe, për më tepër, ata do të interesohen që t’a njohin në thellësi situatën në Kosovë dhe do t’a kuptojn se atje po ndodhin padrejtësi të mëdha të cilat janë favorizuar edhe nga strukturat e shtetëve të tyre. Sepse, e vërteta është se për Kosovën di shumë pak bota perendimore. Ata nuk e dinë as se çfarë po bëhet realisht atje, nuk e dinë as se cilat politika dhe veprime po bën bashkësia ndërkombëtare atje. Po, t’a dinin ata do të n’a dilnin më shpesh në krah, por gjithëçka është e maskuar e heshtur dhe, sidomos, e pa vrejtur nga fakti i qetësisë sonë. Ngritja e zërit tonë, bën që bota t’i kthej veshët dhe sytë nga ne. Bën që bota të kuptoj se pajtimet me Serbinë po ndodhin në kurrizin e të drejtës territoriale, sovrane dhe kombëtare shqiptare pa u pyetur vetë shqiptarët.

Skenat e tona “jo civilizuese” për ne, në sytë e politikanëve, militantëve, studentëve, intelektualëve perendimor janë skena që reflektojn energji, vullnet të një populli që nuk pranon zgjedhën e pushtetëve korruptive, e pushtetëve kuislinge, e pushtetëve kriminale. Janë skena që reflektojn për gatishmërinë e një populli për të mbrojtur interesat e tij vitale, për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e tij. Janë skena që reflektojn vitalitetin e një populli, vitalitet që duhet marrur parasysh dhe duhet respektuar. Ky është i vetmi imazh që sot Kosova është duke shitur nëpër botë. Dhe këtë mund t’a shihni edhe nëpër mediat botërore se me çfarë qetësie dhe korrektësie raportohen ngjarjet që po ndodhin tek ne. Askush nuk flet për skena “jo civilizuese” sepse asnjë skenë e tillë nuk është më civilizuese dhe më demokratike se sa ato që kemi parë këto ditë.

Thënë të drejtën bota perendimore ka shumë halle të saja dhe ajo nuk n’a mban në mendjen e saj. Vëmendjen e saj mund t’a ketë vetem ai që arrin të ngrisë zërinë lartë, t’ju jap jehonë problemëve të tij dhe të shpreh pakënaqësinë me gjendjen duke pasur vullnetin e vërtetë për t’i zgjidhur ato. Qyqanët, të qetët dhe të kënaqurit që nuk bezdisen as vetë për vetëveten, kurrë nuk kanë mundur t’a tërheqin vëmendjen e të tjerët. Pra, fati qoftë me t’a, do të thoshte bota !

Në këtë aspekt, Kuvendi i Kosovës ka kontribuar shumë për t’a ngritur nga gjumi popullin shqiptar në Kosovë. Nga një Kuvend i përgjumur që ishte dikur – sidomos në mandatet e para – në të cilin ishin mbledhur këngëtar si Sabri Fejzullahu, aktor të dështuar si Lirak Qelaj, ca gra të vjetra që ishin aty sa për të bërë numër dhe që përcillnin vajtje ardhjet e kamerave (si hutajka) tërë kohën, sot kemi Kuvend më të gjallëruar, më aktiv.
Është dashur shumë që ajo gjendje pedantiste e neveritshëme që mbizotëroj për vite me radhë në Kuvendin e Kosovës, ku nuk mirreshin vesh as deputetët se për çfarë e kishin fjalën duke cituar 3 minuta nderimet ndaj atij e këtij dhe duke përfunduar me nga 3 minuta me falenderime ndaj atij e këtij, të kemi më në fund një Kuvend ku debatët politike të jenë reale, të spikatura, mobilizuese, të kuptueshëme nga mbarë publiku shqiptar.
Për të thënë të drejtën, prishjen e parë të një pedantizmi rugovisto-titist në të cilin ishte ngatërruar edhe krahu i luftës, e kishte bërë deputeti Xhevat Bislimi (PDK, asokohe). Zëri i tij i thekshëm, fjalimet e tij të qarta dhe të spikatura, guximi i tij për t’i thënë gjërat troç ishin një hap i parë drejtë një Kuvendi më “normal” dhe më demokratik. Thirrja e tij që UNMIKU të mbledh plaçkat dhe të largohet nga Kosova, iniciativa e tij me mbledhimin e nënshkrimëve për të vetëshpallur Pavarësinë e Kosovës ishin edhe hapat e parë drejtë një deputeti të vërtetë, më sovran, më të denjët, më të guximshëm për t’u përballur edhe me të huajt kur është në pyetje e vërteta dhe kur ishte nevoja për t’a kujtuar se kush ishte zot shtëpie e kush mysafir.
Zëri dhe sjellja e Xhevatit asokohe dikujt edhe mund t’i dukej jashta rregullave të pedantizmit neveritës rugovisto-titist, që në realitet ky pedantizëm nuk ka asgjë të bëj me një kulturë politike perendimore, por sot ato mund të vlerësohen si fillestare për zhvillimin e një Kuvendi “normal” në të cilin debatohet fuqishëm për problemet e vendit dhe, në gjendje të jashtzakonshëme, bëhen veprime të jashtzakonshëme. Sepse, duhet kujtuar se Kuvendi është vendi i parë nga ku gjallërohet apo përgjumet një popull i tërë.

Pas ardhjës së Vetëvendosje!-s në Kuvend kemi pasur një zhvillim të ri ku, për herë të parë, u formua një opozitë e zëshëme, me një qytetari të mirëfillët, me kërkesa e debate të fuqishëme. Vetëvendosja! kishte flakur përfundimisht tutje pedantizmin neveritës rugovisto-titist dhe kishte adoptuar një kulturë të mirëfillët perendimore të të bërit politikë. Sot, pasi ka braktisur edhe AAK-ja pedantizmin e neveritshëm rugovisto-titist dhe i është bashkuar VV dhe Nismës në mënyrën e të vepruarit konform një demokracie e të denjët për t’u quajtur e tillë, më në fund, kemi një Kuvend i cili po luan plotësisht rolin e tij. Më në fund, qytetarët e Kosovës po e ndjejn veten të përfaqësuar, po e ndjejn veten pjesë më përbërëse e ngjarjëve që po ndodhin në vendin tonë. Gjallëria e deputetëve po bën gjallërinë, qytetarinë, demokracinë e vërtetë dhe të mirëfillët të këtij vendi. Gjithësesi se populli shqiptar po e kupton dhe dhe do t’a përkrah fuqishëm këtë kulturë politike perendimore.