Dardan Sejdiu godet ashpër Adriatik Kelmendin

E publikuar: 01/10/2015 16:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës
Gazetari Adriatik Kelmendi sot pas kritikave përmes një opinioni adresuar qeverisjes në Komunën e Prishtinës, ka marrë një përgjigje nga nënkryetari i kësaj të fundit, Dardan Sejdiu.

Numri dy i Komunës së Prishtinës, i ka numëruar sukseset e qeverisjes së tyre në Prishtinë, dhe ka thënë se ato nuk po ka kohë të i shohë Kelmendi, me gjasë shkaku qëndrimit më shumë në Facebook e TV.
Në opinionin e tij të botuar në Koha Ditore, një pjesë të së cilit Kelmendi e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, thotë se si mund të ishte alternativë qeverisëse opozita e sotme në nivel qendror kur të tria partitë VV, AAK e Nisma, në komunat ku qeverisin nuk kanë treguar ndonjë kualitet qeverisje më të mirë se sa në ato komuna ku qeverisin pozita e sotme në nivel qendror, PDK e LDK.

Reagimi i plotë i nënkrytarit Dardan Sejdiu, publikuar në Facebook:

Para pak çastesh, gjatë pauzës së drekës e lexova një postim te z. Adriatik Kelmendi, dhe meqë edhe qeverisja në Prishtinë u permend, po e shoh si obligim me i sqaru disa gjëra.
Në shumë prej intervistave dhe shkrimeve z. Kelmendi permend që e keqja me e madhe është korrupcioni dhe jo zajednica apo negociatat, ndërsa në postim thotë se nuk është e mjaftueshme vetëm lufta kundër korrupcionit, nje shkarrje logjike të cilën po e kapercejmë pa e spikatur, për faktin se pajtohem që vetëm luftimi i korrupcionit nuk e definon një qeverisje. Por sigurisht edhe ai pajtohet që është mirë që të mos korruptohen qeveritarët në cilindo nivel.
Por duke qëndruar në virtualitet (TV dhe FB) si duket nuk i sheh punët që bëhen në Prishtinë, prandaj unë po i numëroj disa, e ndoshta këto prapë nuk janë të mjaftueshme, sepse ka shumë punë që ende duhen bërë, por gjithsesi janë të rëndësisshme.
Platoja e kurrizit, lidhja me rrugë e Llapit me Gollak, bulevardet në qendër (për momentin 83 kontrata aktive në infrastrukturë), vizitat sistemike në shkolla fillore (sa për ilustrim 11 fëmijë me probleme koronare janë identifikuar), shujtat, renovimi i 5 QMF-ve, 5 ambulantave, qendrës stomatologjike, reformat e thella në administratë prej shërbimeve online deri te e-kiosku, ndalja e rrënimit urban, rekrutimi meritor në shkolla, kufizimi i numrit të nxënësve në shkollat e Prishtinës, hapja e çerdhës së parë publike me bazë ne komunitet (edhe 2 të tjera deri në fund te vitit), mbjellja e më shumë se 1400 fidaneve vetëm sivjet, rregullimi i disa parqeve në Prishtinë, largimi i mbi 80 deponive ilegale, dhe shumë e shumë punë të tjera që do të finalizohen deri në fund të vitit, siç është përfundimi i tenderit për blerjen e 51 autobusëve të rinj, renovimi i sheshit Adem Jashari, dhe mbjellja edhe afër 1000 fidaneve gjatë muajve në vijim.
Pra, këto ishin vetëm disa nga punët sivjet, duke mos përmendur ardhjen e një investitori gjerman që krijoi 250 vende pune, fondin për zhvillim rural, i cili finalizohet këtë muaj e që i mundësoi bujqëve të Prishtinës çasje në mbi 4.5 milion euro grante dhe subvencione për 3 vitet e ardhshme, finalizimin e qendrës se karrierës dhe business HUB te Prishtinës i cili përfundon në dhjetor.
Dhe për fund, pajtohem, janë dy lloje të qeverisjes në 15 vitet e fundit: Ata që e sollën Kosovën në këtë theqafje, dhe ne që po e luftojmë korrupcionin me angazhim e vullnet, po realizojmë projekte dhe nuk po dalim 30 herë për të njejtën gjë me pre shirita. E për më shumë po krijojmë vende pune me investime që vijnë nga jashtë, me fonde zhvillimore për bujqësi që po realizohen e nuk janë llafe fushatash, dhe me politika që luftojnë pabarazinë sociale.
E krejt këto edhe në Rubikon mund t’i sqaroj një nga një, por ama nuk besoj që këtë privilegj mund të ia japësh dikujt që nuk është “senzacional” (interesant) dhe shpërndarës puplash.