Premtimin e fundit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se liberalizimi do të ndodhë vitin që vjen, njohësit e çështjeve politike, e shohin në mënyra të ndryshme. Disa prej tyre këtë premtim e shohin si të mundshëm, derisa të tjerë thonë se ky premtim i Thaçit nuk është diçka që duhet besuar.
Analisti politik, Xhemal Ahmeti ka thënë për Gazeta Blic, se vetë Hashim Thaçi përmes deklaratës së tij dhënë gazetës gjermane “Handelsblatt” (për heqjen e vizave), e pranon në njëfarë forme se nuk kanë punuar sa duhet në këtë rrugëtim. Sipas tij, ai qe disa vite nuk ka mundur të bëjë ndonjë gjë, e si mundet dikush t’i zë besë, se vitin e ardhshëm do të na u hiqkan vizat.
“Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, pranon se qeveritë e tij të deritanishme nuk kanë bërë asgjë në drejtim të përmbushjes së kritereve të BE-së, për liberalizimin e vizave dhe këtë mendon ta bëjë deri vitin e ardhshëm. Nëse për dy legjislatura nuk ka arritur të bëjë diçka si kryeministër, pse beson sot e për një vit ta bëjë këtë? Pse t’i besojë kush?”, ka thënë Ahmeti.
Kurse, eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Shenoll Muharremi, ka thënë për Gazeta Blic, se liberalizimi dikur do të ndodhë, dhe se pikërisht viti që vjen, është vit i mundshëm për t’u bërë një e tillë gjëje. Sipas tij, zëvendëskryeministri Thaçi ka gjasa ta dijë se kur do të arrihet ky synim.
“Viti i ardhshëm është vit optimal për viza, për shkak se jemi në fazën përfundimtare. Ne megjithatë, duhet ta presim raportin e ekspertëve të BE-së për ta parë mendimin e tyre, për shkak se janë ata që vendosin në fund. Ministri i Jashtëm i ka gjasat më të mira nga të gjithë, që ta qëllojë vitin se kur do të liberalizohen vizat. 2016-a është vit optimal dhe presim që liberalizimi të ndodhë”, ka thënë Muharremi.
Ai më pas ka shtuar, se kjo ka mundur të ndodhë qysh kohë më parë, megjithatë tani ka ardhur momenti për realizimin e këtij synimi. Poashtu, heqja e vizave sipas tij, do të shërbejë në krijimin e marrëdhënieve më të afërta, në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“BE-ja edhe Qeveria kanë mundur ta bënin shumë më shpejt këtë gjë. Është koha që edhe Kosova të përfitojë. Liberalizimi do të ndihmojë mes tjerash afrimin e Kosovës me BE-në, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe ai biznesor dhe kulturor. Andaj, është në interes të të dy palëve të ndodhë sa më parë”, ka përfunduar Muharremi.
Hashim Thaçi edhe në zgjedhjet e 2010-ës kishte premtuar se liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda 15 muajve , mirëpo kanë kaluar thuajse 5 vjet nga ajo periudhë dhe Kosova vazhdon të jetë e izoluar.
Ngjashëm sikurse Hashim Thaçi, me të marrë pushtetin edhe Isa Mustafa kishte premtuar liberalizimin e vizave në pranverën e vonë të këtij viti, mirëpo ky premtim i tij doli të jetë elektoral.
Ndryshe, Kosova është i vetmi vend në rajon që edhe më tutje nuk ka liberalizim të vizave në raport me vendet e Bashkimit Evropian. /Gazeta Blic