Në tavolinën e drunjtë vendosur në ballkonin nga ku ndihet era e pishave dhe mund të shohësh detin, Veton Surroit i ndodh këto ditë vere të ulet të shkruajë. Në çdo banesë duket se ka historinë e tij me shkrimin. Këtu i ndodh që i grishur nga një ide të hedhë në letër ndjesitë pa i humbur, apo teksa dielli zhytet tej në Adriatik të humbasë në redaktimin e fletëve që mund t’i ketë marrë me vete nga Kosova.
Me një bluzë sportive, duket se portreti i tij me këmishë e kravatë kur shfaqej më 1999 në negociatat e Këshillit të Rambujesë që do t’i paraprinin bombardimit 78-ditësh të NATO-s, të asaj që kishte mbetur nga ish-Jugosllavia, apo teksa nga podiumi i partisë “Ora” përpiqej të krijonte një klimë të re në politikën kosovare, ka diçka nga realizmi magjik, i letërsisë me të cilën u njoh herët, atë latino-amerikane.
E dinte se do të vinte një kohë që do të ishte më shumë për shkrimin, dhe atëherë kur gjatë bombardimeve qëndronte i fshehur në Prishtinë.
Shkrimi ishte projektuar herët tek ai, që kur i vogël hidhte vështrimin në bibliotekën e madhe të babait për të marrë që andej “Enciklopedinë e shpendëve”. Në fakt, Surroi i përket atij brezi që shkrimin e kanë pasur gjithnjë në xhepin e xhaketës, për ta nxjerrë prej andej dhe në kohë përfshirjesh politike.
Teksa Kosova ishte e përfshirë në negociata, apo më herët në kaosin e pas viteve ’90, më pas me luftën, ai i tregonte botës Kosovën e tij imagjinare, nëpërmjet kolumnave botuar në shtyp. Një Kosovë që shfaqej tek ty e bukur dhe interesante, përmes një stili që gjithnjë ka treguar shkrimtarin brenda publicistit.
Dhe shkrimtarin Surroi e ka nxjerrë më në pah tani. Pas romanit “Milioneri”, i cili tregoi një Kosovë me gjithë të fshehtat e një vendi ballkanik, Surroi prej vetëm pak kohësh ka nxjerrë në treg librin e tij më të ri “Ambasadori i Melkizedekut” (botimet “Koha”). Një libër që ti nis ta lexosh në mbrëmje dhe kërkon me ngulm ta mbarosh mbrëmjen tjetër.
Një libër për “Shqipëritë tona”, thënë me alegorinë e “Ambasadorit të Melkizedekut”, që sipas autorit një ditë me siguri do të mbërrijë dhe çdo gjë do të jetë në rregull… Një analizë jo thjesht politike, por dhe filozofike që i bën një skaner realiteteve tona, duke u futur në tema të ndjeshme siç është identiteti, apo sfida europiane. Një analizë që ku rrëfimtari shpesh të duket sikur të ka futur në një roman, dhe ku kufiri mes letërsisë dhe publicistikës është i padukshëm.
“Dr. Ibrahim Rugova quhej Afërditë. Shtëpia e tij quhej rezidencë. Shoqata e Shkrimtarëve, një barakë e ndërtuar përkohësisht në vitet shtatëdhjetë quhej Presidencë…”, nis Surrroi rrëfimin e “Ambasadorit të Melkizedekut”, për të vijuar në një portet ndryshe, jo vetëm të ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova ndaj të cilit dikur ishte një kritik i madh, por dhe personazheve të tjerë të politikës kosovare dhe realitetit sot, në një rrëfim që nuk duhet humbur…
Le ta nisim bisedën nga Durrësi… Çfarë është ky vend për ju?
Këtu familja dhe unë përjetojmë një ishull, i cili më lejon mua personalisht ta vështroj botën nga një perspektivë tjetër. Më krijon një distancë kritike që është e nevojshme shpeshherë. Është si një rikapitulim i largësisë që të mos jesh i zhytur në të. Por, natyrisht është dhe një kontrast i jashtëzakonshëm dhe fizik dhe klimatik, në një formë edhe kulturor do ta quaja, pasi kemi të bëjmë me një komunitet të mbyllur, në të cilin përjetimi më i madh është deti, pisha, natyra. Nga kjo perspektivë gjërat kornizohen më shumë, dhe kur e ke detin kornizë, korniza është shumë, shumë e madhe.
Shkruani këtu?
Shkruaj këtu. Këtu zakonisht filloj të shkruaj, ose redaktoj pjesët e mbaruara të një libri. Këtu hidhen skicat e para, ose ripërpunohen skicat e bëra. Përpiqem të mbaj një ritëm të shkrimit që është i nevojshëm.
Ka pasur një kohë kur Shqipëria u krijua si nocion brenda jush. Si e kujtoni qasjen e parë me të, për të mbërritur te vizita e parë në Tiranë?
Jetoj mes dy skajshmërive për Shqipërinë. Skajshmëria e izolimit të plotë të Shqipërisë dhe e mungesës së kontaktit, dhe skajshmëria tjetër është ajo e të qenët qytetar i Shqipërisë dhe zyrtarisht. Përjetimi im i parë për Shqipërinë ka qenë ndikimi nga filmi “Skënderbeu” në vitin 1968, kur isha ende fëmijë, pastaj kanë qenë librat që vinin si pasojë e këmbimit kulturor mes dy vendeve që u bë i mundur në vitet ’70. Izolimin e Shqipërisë do ta kuptoja më mirë kur erdha për herë të parë në Shqipëri në vitin 1991, kur pash sesi ishte ndalur koha për aq gjatë, aq shumë dhe aq thellë.
Si ishte impakti i librave që vinin nga kjo anë e kufirit?
Në atë periudhë, librat që vinin në Kosovë ishin dhe pjesë e kurrikulave shkollore, kështu që nuk ishte ndonjë zbulim i madh. Por ajo çfarë ishte më me rëndësi për mua, ishte përkthimi që vinte nga Shqipëria pasi ishte shumë më cilësor. Isha në atë moshë kur mund të zgjidhje ta lexoje Tarzanin për herë të parë serbo-kroatisht dhe shqip, e ti zgjidhje ta lexoje shqip. Në moshën ku fillon të bësh përzgjedhje të librave, për ne ishte avantazh i madh që kishim librat shqip.
Ka gjithnjë një lidhje me shkrimin, një moment kur e ndien se shkrimi është brenda jush. Te ju si ka ndodhur?
Në njëfarë mënyre, unë e kam të trashëguar shkrimin. Im atë ka qenë gazetar dhe shkrimtar dhe librat e parë që më vijnë në kujtesë qenë përmbledhjet e revistave “Zëri i Rinisë”, ku babai im ishte një prej themeluesve.
Po ashtu, konteksti dygjuhësor apo shumëgjuhësor ka qenë i rëndësishëm në formimin tim. Për një periudhë kohe ne kemi jetuar jashtë Kosovës e që herët kam pasur një edukim dygjuhësor, ku përpos shqipes që flitej në familje e shkollë, kishim komunikim dhe me gjuhën serbo-kroate, dhe me kulturën e popujve që e flisnin atë gjuhë….Një shembull i thjeshtë, personazhe të letërsisë për fëmijë si Ros-rosaku, apo Mikimausi nuk na erdhën në atë kohë në gjuhën shqipe, dhe më duhet t’i lexoja në serbo-kroatisht. Kultura perëndimore në njëfarë mënyre na erdhi nga gjuha serbo-kroate. Për mua shkrimi ishte pjesë e mësimit të gjuhëve, pasi duhet t’i mësoja gjuhët dhe duke e lexuar e duke shkruar. Kam shkruar e lexuar para se të hyja në shkollë…
Pastaj shkrimi erdhi në formë të natyrshme tek unë, ndoshta më shumë gjatë studimeve, pasi kam studiuar kritikë letrare, e më vonë erdhi si profesion…
Ishin studimet për kritikë letrare ato që mprehën publicistin tek ju, duke ju bërë të shkonit më lehtë drejt gazetarisë…?
Kur u ktheva në Prishtinë, për koincidencë u hap konkursi për gazetari në “Rilindje”. Kryeredaktori i ndjerë i atëhershëm, Maksut Shehu, më thirri dhe më pyeti në doja të isha pjesë e gazetës. Ai ishte mik i vjetër i familjes e gazetaria në njëfarë mënyre ishte pjesë e imja duke qenë e familjes, dhe provova të hyj në gazetari e mbeta aty.
Megjithatë në letërsi keni hyrë vonë. Nuk duhet të ketë ngutje për të shkruar letërsi?
Si duket letërsisë i erdhi koha tash. Kam kaluar një periudhë kohe e cila nuk më lejonte të shkruaja. Unë hyra në gazetari në vitin 1982, e prej atëherë, Kosova ka qenë gjithnjë në një gjendje të jashtëzakonshme. Pastaj në vitet ’90 u angazhova në mënyrë intensive në atë që quhej Lëvizja për Çlirimin e Kosovës. Kështu që letërsisë i erdhi koha disi vonë, por letërsia ka kohën e vet të pjekurisë.
“Miliarderi” është një roman për lirinë?
Është e vështirë që një autor të përcaktojë veprën e tij. Ajo çfarë mund të them është se doja të shkruaja.
Pak muaj më parë, romani juaj u përkthye dhe u botua në gjuhën serbe. Ju ishit në Beograd në prezantimin e tij. Përtej raportit të njohur mes Kosovës dhe Beogradit, doja të flisnim për kthimin tuaj atje në një sens tjetër, pasi ju prezantonit një libër në një qytet ku babai juaj ka studiuar dhe ka nisur shkrimet e para…
Për mua ishte një moment shumë emocional dita e prezantimit të librit, pasi ishte ditëlindja e babait. Fjalën time para audiencës që ishte atje e nisa me fjalinë që “sot do të ishte ditëlindja e 86 e babait tim po të mos ishte ndarë nga jeta…”. Në Beograd, ai kishte studiuar, kishte filluar gazetarinë, si pjesë e studentëve shqiptarë atje. Kishte mbaruar juridikun dhe gazetari e diplomaci. Në kohën kur ai studionte në Beograd, shqiptar nuk ishte përcaktim etnik, por ishte përcaktim profesional. Qytetarët e Beogradit nuk thoshin në atë kohë, më sill një hamall për të mbajtur dru apo qymyr, por më sillni një shqiptar. Ky përcaktim ishte aq i thelluar në atë kohë, sa me kthimin e tij në Prishtinë, ai pas gazetarisë ishte një prej përgjegjësve kryesorë për themelimin e Universitetit të Prishtinës. Në fjalën hapëse në Kuvendin e Kosovës, ai ka thënë një fjali që mbahet edhe sot mend, duke thënë se “gjuha shqipe nuk është gjuhë e sharrëxhinjve, por e profesorëve, e shkencës dhe e kulturës”.
Në atë qytet, në Beograd, pastaj u dha urdhri që atij t’i ndërpritet jeta. Dhe andaj, unë kisha emocion të madh kur mesazhi që dhashë në Beograd ishte që “më vjen mirë që ky roman është shkruar në atë që ishte gjuha e sharrëxhinjve dhe e hamajve, tashmë përkthyer në Beograd e po vjen aty që të shohin një përjetim të një shoqërie të Kosovës në vështira”.
Sa e rëndësishme ka qenë figura e babait në jetën tuaj dhe çfarë merrni ende sot prej tij?
Është një figurë e jashtëzakonshme dhe inspiruese. Ka elemente të busullës emocionale. Ndonjëherë, peshorja e tij morale është e nevojshme për të peshuar dhe gjërat e sotme.
Si e shihni sot kulturën në hapësirat ku jetojnë “sharrëxhinjtë”. Sa e ka dëmtuar komunizmi në Shqipëri, lufta në Kosovë apo trazirat shpesh në Maqedoni, kulturën në hapësirat tona?
Po ta marrim historikisht, ne kemi 100 vjet si shtet-komb.
Një Gjergj Fishta i është dashur të merrej me shkrim, me punët fetare, kodifikimin e gjuhës, e njëkohësisht të bënte dhe një politikë bashkë me gjeneratën e tij për ndërtimin e shtetit të Shqipërisë. E njëjta gjë ka ndodhur dhe pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, në një vend me 98% analfabetë, duhet të dilte një gjeneratë e cila jo vetëm duhet të bënte alfabetizimin e vendit dhe shoqërisë, por edhe të shkruante romane, të ndërtonte universitete, televizione, etj.
Kjo fazë e shtetndërtimit u konsumua me gjeneratën e prindërve tanë. Dhe ajo çfarë ndodhi ndërmjet kësaj kohe dhe që përkon me vdekjen e komunizmit është se në këto 20 vjet të tranzicionit po rivendosen binarët edhe të shtetndërtimit, edhe identitetit kulturor brenda atij shtetndërtimi. Natyrisht kultura tejkalon dhe shtetin dhe shtetndërtimin si të tillë, ndaj kemi kulturë shqiptare fatmirësisht edhe jashtë shtetit. Janë pjesë e këtij burimi, por edhe e një burimi tjetër më të madh global. Sfida që unë shoh sot, është sesi të përcaktohet identiteti i shoqërive shqiptare dhe i kulturës brenda saj, mënyra se si po ndërtohet kultura shqiptare në shumëllojshmërinë e shoqërive shqiptare. Dhe si korrespondon kjo kulturë jo më tash brenda vetes, por me trendet globale.
Një nga debatet më të mëdha këto vite ka qenë ai për identitetin. Pse duhet të flasin kaq shumë shqiptarët për identitetin?
Për shkak se gjithnjë është vënë në dyshim identiteti i shqiptarëve. Identiteti ynë ka qenë nën trysni të përhershme, qoftë nëpërmjet përpjekjes që të artikulohet identiteti vetëm nëpërmjet fesë, qoftë përmes mohimit të gjuhës, apo moszhvillimin e gjuhës. Objektivisht identiteti është i brishtë për një komb i cili, ndonëse e ka pasur gjuhën e vet, nuk e ka kodifikuar në shkrim deri para një shekulli.
Ka qenë identiteti, një nga shqetësimet që ju ka shtyrë të shkruani librin e fundit “Ambasadori i Melkizedekut”, ku një nga pyetjet që shtroni aty është “Çfarë është shqiptari?”
Pyetja nuk është më ekzistenciale për fat të mirë, megjithëse jo shumë kohë më parë ishte e tillë. Shqiptarët kanë pasur rast të copëtohen deri në zhdukje, apo të përndiqen deri në zhdukje, të shndërrohen në një komb nomadësh bashkëkohorë. Për fat të mirë këtë rrezik ekzistencial e kemi tejkaluar.
Brenda këtyre 100 vjetëve ka pasur zhvillime për të mirë për ne, siç është ndërtimi i Shqipërisë apo pavarësia e Kosovës. Problemi esencial që po përpiqem të nxjerr në pah edhe në libër, është që identiteti i shoqërive shqiptare është ende i rrezikuar dhe tashmë jo në kuptimin e mohimit të ekzistencës, por në kuptimin e vlerave kompetitive të këtij kombi. Për shembull, një prej rreziqeve të mëdha për këtë identitet, për këto vlera kompetitive, është islami politik. Ai godet drejtpërsëdrejti ADN-në e shqiptarëve. Shqiptarët kanë diçka me të cilën krenohen në Europën e sotme. Shoqëritë shqiptare kanë krijuar më herët se çdokush atë që po përpiqen ta ndërtojnë sot shtetet europiane e që quhet tolerancë ndërfetare, shndërrimi i fesë në veçori individuale, pjesë e së drejtës dhe identitetit individual. Shqiptari është i tillë pa marrë parasysh çfarë besimi ka, identiteti i tij kombëtar nuk varet aspak nga besimi i tij individual. Identiteti kombëtar shqiptar nuk është ndërtuar nga njëri a tjetri besim, është ndërtuar me dhe pa besime, me njërin e tjetrin dhe nga të gjitha së bashku.
Por, sot, bëhet sulm i drejtpërdrejtë ndaj identitetit të shqiptarëve, duke u përpjekur të vendoset një a tjetër sistem religjioz mbi identitetin kombëtar. Sulmi më i madh vjen nga islami politik, është i dhunshëm, po bëhet në mënyrë të koordinuar në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë që identiteti politik islamik të mbizotërojë mbi identitetin kombëtar për shqiptarët.
A ka një rrezik të islamizimit në hapësirën shqiptare. A jemi të brishtë ndaj këtij rreziku?
Jemi të brishtë, jemi të atakuar dhe kështu duhet ta kuptojmë. Shoqëritë tona janë sot të sulmuara nga islami politik, pjesë e këtij sulmi po bëhet në Kosovë e Maqedoni, por edhe në Shqipëri. Një pjesë e këtij sulmi po ndodh në institucionet fetare, duke u përpjekur për të ndryshuar sistemin tradicional të interpretimit të islamit ndërshqiptarë e duke futur në të elemente, primesa të cilat nuk kanë ekzistuar, të cilat në vend të adaptimit të islamit tradicional në shoqëritë tona kërkojnë që shqiptarët t’i adaptohen një forme të veçantë të islamit, e cila ekziston në disa vende, në radhë të parë në Arabinë Saudite.
Ka përplasje qytetërimesh, idesh apo fesh, cila është lufta e re sot?
Nuk është përplasje fesh e as qytetërimesh, për fatin e mirë. Këtë e them edhe në libër. Islami shqiptar është pothuajse i vetmi islam europian, sepse nuk është islam i një populli kolonizues siç ndodh në Francë, me algjerianët apo kombësi të tjera që kanë shkuar në Francë për të jetuar e kanë sjellë islamin me vete. Islami këtu është shndërruar në autokton. Është pjesë e këtij trualli, por është islami që di të bashkëjetojë me çdo gjë dhe di t’i adaptohet shoqërisë.
Tash bëhet përpjekje, e një pakice të vogël, që forma tradicionale e islamit të ndryshojë, madje rrënjësisht. E kur kemi të bëjmë me një traditë qindravjeçare, është e qartë se ajo nuk mundet të shndërrohet kaq shpejt. E vetmja formë e shndërrimit të shpejtë është dhuna, e kombinuar me trysninë e parasë, dhe për fat të keq kjo po ndodh. Sot po bëhen përpjekje që interpretimi shqiptar i islamit t’u nënshtrohet interesave politike të grupeve islamike apo dhe shteteve që e sponsorizojnë atë.
Rruga europiane e shqiptarëve është përcaktuar herët, shkruani ju në libër. Megjithatë duket se ende nuk jemi bërë pjesë e kësaj rruge. Ku po gabojnë shqiptarët?
Gabimi thelbësor është të mendojmë sot se meqë jemi në kontinentin europian, jemi të predisponuar apo që fati do të na çojë vetvetiu drejt integrimit brenda Europës. Ajo që them është që kjo nuk është e mjaftueshme. Është ndihmesë e madhe sigurisht, pasi nuk jemi gjeorgjianë dhe nga kjo pozitë gjeopolitike të përpiqemi të integrohemi në Europë, por nuk është as avantazh automatik. Gjeografia mund të shndërrohet edhe në të kundërtën, pasi mund të jemi një oaz i tillë i lënë në harresë ekzotike, një popull i vjetër, për të cilin mund të mendojnë “e le të rrinë aty…”
Keni qenë kritik i madh i presidentit të ndjerë Rugova gjatë kohës kur ai ishte gjallë dhe shfaqeni krejt ndryshe ndaj tij në këtë libër…
Kam qenë kritiku i tij më i madh, sa ishte gjallë, kështu që nuk kam nevojë të konsumoj kritikën që kisha ndaj veprimit të tij, por përpiqem që brenda këtij konteksti të zhvillimeve të veçoj ato që janë pozitive brenda jetës së tij. Negative ishte besimi i tij se po qe se e deklaron cakun, ai realizohet vetvetiu, se “nëse ti thua se ne do të bëhemi të pavarur, atëherë do të ndodhë kjo gjë”. Gjërat nuk ndodhin vetvetiu, duhet të investosh në to, duhet të punosh, etj. Pozitivja tek ai, ishte përpjekja për të integruar lëvizjen kombëtare shqiptare brenda një koncepti perëndimor dhe të them të drejtën ishte një avantazh shumë i madh që krijoi një besim pothuajse të verbër, siç u dëshmua edhe me ambasadorin e Melkizedekut, se populli duhet të besonte çdo gjë, madje edhe se Kosova do të vendoste marrëdhënie diplomatike me një ishull të paqenë, të quajtur Melkizedek.
Ka humbur besimi sot? E kam fjalën në kulturë, politikë, mendim…
Pas lëvizjeve të mëdha tektonike ku investohet një energji e madhe ekziston një përqendrim i së gjithë popullatës, konsensus i plotë shoqëror, ajo energji e konsumuar pastaj shndërrohet si flluskat e detit, shpërndahet si shkumë, vetëm për të treguar fuqinë e dikurshme të valës.
Ajo që i mungon shoqërive të tilla siç janë këto tonat, është ripërqendrimi i forcës dhe i energjisë krijuese në disa objektiva. Dhe për të bërë këtë duhet një kuptim i përgjithshëm i standardit dhe i vlerës. Ne ende jemi në fazën kur i rivlerësojmë gjërat dhe ende nuk jemi pikëtakimi rreth vlerës. Por kjo nuk i ndodh vetëm shoqërive shqiptare. Po të shikoni në Serbi ku isha këtë herë për promovim pas 17 vjetësh, vura re se Serbia ishte zhytur në një paralizë të vetën, e cila po ashtu kishte humbur nocionet e vlerës.
Nëse u referohemi vetëm librave, ata që ishin më të lexuar këtë kohë atje e që shënonin tirazhe të mëdha ishin ato me biografinë e ndonjë këngëtareje apo operacionet plastike, ndërsa shkrimtarë bashkëkohorë Mario Vargas Llosa kalonte jo mirë.
Kemi një shkundje vlerash dhe një mungesë rigrupimi të tyre.
Është një tezë që është hedhur shpesh nga politikanë nga të dyja anët e kufirit këto vite, ajo e bashkimit kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë. A duhet avancuar me këtë tezë?
Ajo çfarë duhet të ishte kuti matës i bashkimit kombëtar është përgjigjja në pyetjet: Sa mund të bëjnë shoqëritë e shtetet në të dyja anët e kufirit, që kufiri të mos trajtohet si vijë ndarëse? Pastaj, çfarë do të jetë niveli i këmbimit mes dy shoqërive që ai të mos trajtohet si këmbim mes dy shteteve? Kosova dhe Shqipëria nuk janë dy shtete fqinje normale, dy shtete fqinje tradicionale europiane, por ama janë dy shtete. E duhet të gjejmë balanca e komunikimit mes këtyre dy realiteteve./gazetashqip/